Itali, shpërthen Etna/ Rrëke llave dhe hi mbi Katanian 

06/02/2021 13:14

Një shpërthim i ri i Etnës ka bërë që qielli i Katanias të ndriçohet gjatë natës nga aktiviteti spektakolar i vullkanit.

Pamjet filmike treguan sesi rrëke llave u ngritën lart për të zbritur më pas shpateve të malit. Për popullatën nuk pati asnjë problem: shpërthimi ishte parashikuar dhe zona pranë tij ishte nën mbrojtjen e nevojshme.

Llava përfundoi në një luginë të pabanuar, ndërsa hiri i vullkanit mbërriti në qytetet pranë tij.

Vullkani 3.200 metra i lartë mund të shpërthejë disa herë në vit, duke nxjerrë llavë e duke hedhur hi mbi ishullin mesdhetar të Sicilisë. Shpërthimi I fundit madhor I tij, ai I vitit 2002, kërcënoi seriozisht qytetin e vogël  të Linguaglossa, por për fat të mirë gjatë atij episodi nuk u raportuan të lënduar. Etna është vullkani më aktiv i Europës dhe për këtë arsye, mbetet një destinacion turistik tejet popullor. Edhe pse konsiderohet gjerësisht se ai nuk përbënë rrezik për popullsinë lokale, sërish monitorohet me shumë rreptësi. Dy vullkanet e tjerë aktivë në Itali janë Stromboli dhe Vezuvi që për herë të fundit ka shpërthyer n 1944-ën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA