Kryeministri në detyrë, njëherësh kandidat për kryeministër nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka deklaruar se me qeverisjen e tij, kanë arritur të largojnë ndikimin rus dhe të Lindjes në Kosovë dhe në rajon.

Këto komente Hoti i bëri në një tubim me qytetarë në Han të Elezit, ku u shpreh se një gjë e tillë është meritë e Marrëveshjes së Uashingtonit.

Kryeministri në detyrë para qytetarëve tha se me qeverisjen e LDK-së kanë arritur që të rrisin aktivitetin ekonomik, duke e bërë më të madh sesa në janarin e vitit të kaluar, kur nuk ka pasur pandemi.

Sfida kryesore në krye të qeverisë, Hoti tha të ketë qenë mbrojtja e shtetit dhe vendosja e marrëdhënieve me miqtë ndërkombëtarë.

“Pas disa javëve që e kemi marrë qeverinë, ne kemi marrë ftesë për Shtëpinë e Bardhë. Ne e kemi arritur një marrëveshje, e cila e ka ndërruar komplet gjendjen ekonomike në krejt regjionin, duke e lidhur regjionin me perëndimin, duke e larguar ndikimin rus e ndikimin e Lindjes në regjion, në Kosovë e gjithandej. Kjo është rëndësia gjeopolitike e marrëveshjes së Uashingtonit”, tha ai.

Ai ka përmendur edhe Marrëveshjen për Nxitjen e Investimeve (IIA) me Korporatën e SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar Financiar (DFC), finalizimi i të cilës është bërë sot.

“Në fund të dhjetorit e kemi nënshkruar një marrëveshje financiare për DFC-në në Kosovë, e cila ka hyrë në fuqi këto ditë. Të hënën e kemi një takim me odat ekonomike, me bizneset e mëdha në Kosovë, për t’iu treguar mundësitë e jashtëzakonshme që kanë me pasur me këtë marrëveshje, për të financuar projekte të mëdha investive në Kosovë, vet bizneset e Kosovës ose në bashkëpunim me bizneset amerikane. Ne e kemi bërë këtë, LDK e ka bërë këtë. Kush kish mundur ta bëj këtë? Ju garantoj që askush përveç LDK”, u shpreh ai.

Hoti ka adresuar kritika për kundërkandidatët e tij, duke thënë se janë duke promovuar parulla dhe taksa progresive.

“Tash jemi para një situate të re, para një opsioni më 14 shkurt, për të ruajtur shtetin, për të ruajtur demokracinë, për të promovuar zhvillim. Ai opsion është vetëm LDK, jo këta të tjerët. Këta a dini çka promovojnë? Këta promovojnë parulla, taksa progresive për bizneset, dividendë në fitim për bizneset, bizneset i shohin veç si oligarkë, veç si burim qysh me iu ra në qafë, qysh me iu çu inspeksionet sikur në regjimet e mëparshme, kur kanë shkuar revizorët nëpër kompani të mëdha”, deklaroi Hoti.

Në fund, Hoti premtoi projekte lokale për Hanin e Elezit, dhe se me qeverisjen e tyre do të përkujdesen që fabrikës së çimentos të kësaj komune t’i ofrojnë mundësi për të punuar me partnerët ndërkombëtarë, e në veçanti me Komisionin Evropian.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA