SHBA, bien rastet e koronavirusit në shtëpitë e të moshuarve

06/02/2021 03:56

Rastet e koronavirusit kanë rënë në azilet e të moshuarve në Shtetet e Bashkuara dhe institucionet e tjera të kujdesit afatgjatë gjatë javëve të fundit, duke ofruar një rreze shprese që zyrtarët e shëndetësisë ia atribuojnë fillimit të vaksinimeve, një qetësimi të valës pas festave dhe parandalimit më të mirë, mes arsyeve të tjera.

Më shumë se 153’000 banorë të shtëpive të të moshuarve dhe qendrave ku jetojnë me kujdes shëndetësor kanë vdekur nga COVID-19, duke përbërë 36% të numrit të vdekjeve nga pandemia në Shtetet e Bashkuara, sipas Projektit të Gjurmimit të COVID-it. Shumë prej afërsisht 2 milionë njerëzve që jetojnë në objekte të tilla mbeten të shkëputur nga të dashurit e tyre për shkak të rrezikut të infektimit. Virusi ende vret mijëra prej tyre çdo javë.

Prirja e përgjithshme për banorët e qendrave të kujdesit afatgjatë po përmirësohet, me më pak raste të reja të regjistruara dhe më pak qendra që njoftojnë shpërthime të reja të infeksionit. Shoqëruar me shifra më pozitive për vendin në përgjithësi, kjo përbën shtysë për optimizëm edhe nëse është shumë herët për të deklaruar fitoren.

“Ne patjetër mendojmë se ka shpresë dhe dritë në fund të tunelit”, tha Marty Wright, i cili kryeson një grup tregtar të shtëpive të të moshuarve në shtetin Virxhinia Perëndimore. Shtëpitë e pleqve kanë qenë një prioritet që kur filluan vaksinimet në mes të dhjetorit dhe qeveria federale thotë se 1.5 milion banorë të kujdesit afatgjatë tashmë kanë marrë të paktën një dozë fillestare.

Studiuesit dhe drejtuesit e këtij sektori thonë se po shohin përmirësime të dukshme pas disa muajsh gjatë të cilave disa shtëpi pleqsh humbën dhjetëra banorë nga sëmundja dhe u desh të mbanin të tjerët në gjysmë-izolim për t’i mbrojtur. Rreth 2’000 shtëpi të moshuarish janë tashmë pa virusin, ose rreth 13% në shkallë vendi, sipas një grupi të këtij sektori, dhe shumë prej tyre po merren me shumë më pak raste sesa më parë.

Në Virxhinian Perëndimore, ku rreth 30% e e gati 2’080 vdekjeve të këtij shteti ndodhën në qendrat e kujdesit afatgjatë, tashmë po ndodhin më pak shpërthime të virusit dhe më pak banorë kërkojnë shtrimin në spital, tha zoti Wright, drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Kujdesit Shëndetësor të Virxhinias Perëndimore. Kompania Genesis HealthCare me bazë në Pensilvani, e cila operon më shumë se 325 shtëpi pleqsh, ambiente me kujdes shëndetësor ose bashkësi të moshuarish në 24 shtete amerikane, ka parë përmirësime të ngjashme, tha zëdhënësja Lori Mayer.

Shoqata Amerikane e Kujdesit Shëndetësor dhe Qendra Kombëtare e Jetesës me Ndihmë Shëndetësore, një organizatë e tregtisë në këtë sektor, thanë të enjten se të dhënat nga rreth 800 shtëpi pleqsh ku dozat fillestare të vaksinave u administruan në fund të dhjetorit ofruan rezultate premtuese. Rastet ndër banorët ranë me 48% në shtëpitë ku ishin bërë vaksinimet, krahasuar me një rënie prej 21% në objektet e afërta jo të vaksinuara. Ndërkohë, rastet në radhët e punonjësve ranë me 33% në shtëpitë e vaksinuara, krahasuar me 18% në objektet e pavaksinuara.

Pasi arritën një shifër rekord prej gati 73’600 rastesh të reja javore në institucionet e kujdesit afatgjatë në të gjithë vendin në mes të dhjetorit, numri ishte në rënie prej 31% deri në fund të janarit, në rreth 50’000 raste të reja në javë, konstatoi një analizë e agjensisë së lajmeve Associated Press. Sidoqoftë, përllogaritja më e fundit e përjavshme është 18% më e lartë se periudha shtatë-ditore përpara Festës së Falënderimeve, kur numrat filluan të rriteshin.

Numri javor i vdekjeve të reja mbetet i lartë, me një rekord prej 7’042 viktimash të regjistruar gjatë shtatë ditëve përpara 14 janarit dhe me vetëm një rënie të lehtë që nga ajo kohë. Për krahasim, gjatë shtatë ditëve përpara Ditës së Falënderimeve, u regjistruan 3’181 vdekje. Më inkurajuese është se Projekti për Gjurmimin e COVID-it zbuloi se vetëm 251 objekte raportuan shpërthime të reja të virusit kohët e fundit, krahasuar me 1’410 në fillim të janarit.

Dr. David Gifford, zyrtari kryesor mjekësor për shoqatën kombëtare, tha se numrat tregojnë shenja shprese pasi ato tregojnë se vaksinat mund të ulin përhapjen e COVID-19, një zbulim që nuk u shfaq gjatë provave. “Nëse verifikohet me të dhëna shtesë, kjo mund të shpejtojë rihapjen e ambienteve të kujdesit afatgjatë për vizitorët, diçka që është jetike për shëndetin dhe mirëqenien e banorëve”, tha ai në një deklaratë. Ekspertët paralajmërojnë që vetëm disa nga përmirësimet mund t’iu atribuohen vaksinave.

Studimet nga Izraeli tregojnë se një pacienti i duhen rreth 12 ditë për vaksinën e parë nga dy dozat e vaksinës së kompanisë Pfizer ose kompanisë Moderna për të siguruar një mbrojtje domethënëse, tha Roni Rosenfeld, epidemiolog në Universitetin Carnegie Mellon. Megjithë banorët e institucioneve të kujdesit afatgjatë dhe punonjësit që kanë marrë të paktën një dozë vaksine, ato doza nuk kanë patur kohë të mjaftueshme për të funksionuar për shumicën e njerëzve, tha ai këtë javë.

“Vaksina ka të ngjarë të ketë kontribuar, por shumë, shumë pak”, tha zoti Rosenfeld. Zyrtarët e shëndetësisë thonë se faktorë të tjerë ka të ngjarë të luajnë një rol më të madh, duke përfshirë një rënie të kontakteve në valën pas festave, një numër gjithnjë e më të madh të njerëzve që janë imunë sepse kanë kaluar sëmundjen, ndryshimet në sjellje dhe sasi më të bollshme të veshjeve mbrojtëse. Dhe ata paralajmërojnë se ka ende rreziqe, përfshirë nga lloje më ngjitëse të virusit dhe një ngurrim nga shumë punonjës të shtëpive të pleqve për t’u vaksinuar./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA