Në Venecia, kjo është kohë karnavalesh, por qyteti është i zbrazët. Askush në qytet nuk mendon të festojë – thonë vetë qytetarët.
Ngado nëpër qytet, shihen maskat tradicionale që i jepnin shumë ngjyra Venecias në këtë periudhë, më parë, por festë nuk ka askund dhe bizneset po përballen me mungesën e 3 milionë turistëve.
Mes maskave që mund të shihen në Tragicomica, një nga dyqanet më të hershme të këtij lloji, janë edhe ato me sqepa të gjatë. Të quajtura mjeku i mortajës, ato janë bazuar tek maskat që mbanin doktorët që kujdeseshin për viktimat e mortajës gjatë epidemisë në shekullin e 17. Nëse dikur ato ishin një simbol i fuqishëm i vdekjes, në kohët moderne ato janë bërë një nga emblemat e festimeve gjatë karnavaleve.
Por aksesori ka marrë tani një konotacion akoma më katastrofik, në mesin e pandemisë së koronavirusit, që ashtu si mortaja që goditi shekuj më parë qytetin në lagunë, ka krijuar sërish një klimë frike dhe ka gjunjëzuar ekonominë. Karnavalet duhet të kishin sjellë dy javë argëtim dhe frenezi duke filluar nga e shtuna. Por sheshet dhe rrugët e qendrës historike mbeten të zbrazëta për të dytin vit radhazi ndërkohë që biznesi e ndjen mungesën e turistëve. Maskat sidoqoftë janë të përhapura edhe sot, por jo për qëllime feste.
Top Channel