Danimarka do të ndërtojë një ishull në detin e veriut që do të mbledhë dhe shpërndajë energji elektrike nga fermat e mullinjve të erës.
Autoritetet thanë se ishulli artificial do të ketë përmasat e 18 fushave të futbollit, do të prodhojë dhe magazinojë energji të pastër për të mbuluar nevojat për elektricitet të 3 milionë shtëpive në Evropë. Ai po ashtu do të ofrojë edhe energji të pastër për tu përdorur në lundrim, aviacion, industri dhe transportin e rëndë.
Projekti i ndërtimit që do të kushtojë 28 miliardë euro, është më i madhi i këtij lloji në historinë e Danimarkës. Qeveria do të ketë 51 për qind të aksioneve në ishull, pjesa e mbetur do ti shkojë sektorit privat.
Është një projekt gjigant – thotë profesori Jacob Ostergaard, që kryeson qendrën për energji elektrike në universitetin teknik të Danimarkës. Ai do të jetë një arritje monumentale në tranzicionin e gjelbër dhe reduktimin e emetimeve daneze të dioksidit të karbonit. Danimarka thotë se do të ndalë nxjerrjen e naftës dhe gazit nga deti i zi, me qëllim që të reduktojë emetimet e karbonit në masën 70 për qind deri në 2030 dhe të jetë neutrale ndaj karbonit deri në 2050. Ishulli i energjisë së gjelbër, për zyrtarët danezë, do të jetë një arritje e madhe edhe për pjesën tjetër të Evropës pasi do të lidhë disa shtete të bllokut. Ai pritet të jetë gati deri në 2033.
Top Channel