Presidenti i AmCham, z. Enio Jaço: Bizneset kërkojnë zgjidhje për praktikat e prapambetura në Dogana, vijojnë të krijojnë padrejtësi për biznesin.

04/02/2021 14:52

Presidenti i Dhomës Amerikane, z.Enio Jaço i kërkoi sot Drejtorisë së Doganave zgjidhje për disa problematika që prej vitesh nuk ndryshojnë dhe vijojnë të krijojnë padrejtësi për biznesin.

Presidenti Jaço mori pjesë në forumin e përvitshëm të organizuar nga AmCham me Drejtorinë e Doganave. Ai u ndal konkretisht tek çmimet e referencës, që i konsideroi një praktikë të padrejtë, e cila është denoncuar jo vetëm nga komuniteti i biznesit të AmCham por edhe kritikuar nga institucionet ndërkombëtare. Jaço tërhoqi gjithashtu vëmendjen përsa i përket politikave të reja mbështetëse që duhet të ndërmerren për lehtësimin dhe zhvillimin e tregtisë digjitale (e-commerce). Presidenti i Dhomës Amerikane i kërkoi Drejtuesit të Doganave që të dy të angazhoheshin personalisht për të zgjidhur përfundimisht të paktën një nga problematikat e përsëritura.

Fjala e Presidentit të Dhomës Amerikane të Tregtisë, z.Enio Jaço

Përshëndetje të gjithëve,

Ju falenderoj për pjesëmarrjen në forumin e përvitshëm midis biznesit dhe doganave.

Fillimisht, dua të uroj zotin Gazheli për detyrën e re në drejtimin e Drejtorisë së Doganave ashtu si edhe angazhimin e tij në mbështetje të bizneseve. Do doja të sillja në vëmendje një zhvillim të reflektuar në Indeksin e fundit të AmCham, ku në lidhje me komunikimin me institucionet publike, komuniteti i biznesit ka shprehur perceptim pozitiv për punën e bërë nga Drejtoria e Doganave.

Në të njëjtën kohë, më duhet të theksoj që në mënyrë të vazhdueshme, gjatë rolit tim si President i AmCham, por edhe të pasardhësve të mi, kemi pasur një sërë problematikash të cilat kanë qenë në mënyrë të vazhdueshme, konstante të pandryshuara nga viti në vit. Rastësisht, ky shqetësim është ngritur edhe dje në mbledhjen e bordit të Dhomës Amerikane të Tregtisë, ku një nga anëtarët e bordit përmendi se megjithë progresin dhe përmirësimin e komunikimit me Drejtorinë e Doganave, çështjet ose problematikat që ne kemi sikur nuk ndryshojnë. Janë të nëjtat problematika nga viti në vit.

Unë do doja t’i bëja një sfidë zotit Gazheli, është një sfidë e përbashkët që ndoshta këtë vit të marrim një angazhim të dy bashkë që të paktën të zgjidhim një nga këto çështje. Do të ishte një progres i vërtetë.

Në të njëjtën kohë do doja të ndalesha shkurt në disa nga këto çështje.

Së pari, problematika e çmimit të referencës, e cila është një nga këto problematika të vazhdueshme e anëtarëve tanë. Për hir të së vërtetës është një problematikë e gjithë komunitetit të biznesit. Është një problematikë, e cila konsiderohet e prapambetur, është kritikuar nga institucionet ndërkombëtare dhe ka shumë arsye që të besohet se është e pasaktë në lidhje me vendosjen e detyrimeve ndaj bizneseve.

Së dyti, do veçoja një tjetër problematikë që do zgjerohet edhe më shumë nga Komiteti i Taksave, i cili ka të bëjë me aksesin në llogarinë e tatimpaguesit në doganë. Kemi pasur problematika të veçanta.

Së treti, është një problematikë e re, e kemi pasur edhe më parë por tani është përshpejtuar në kushtet e pandemisë.

Do t’i bëja një thirrje edhe Ekipit të Dhomës Amerikane dhe ekipit teknik të Doganave për të punuar bashkë dhe për të krijuar politika lehtësuese për tregtinë digjitale apo e commerce. Tregtia digjitale është zhvilluar jashtëzakonisht shumë në vitet e fundit por ka një zhvillim edhe më të madh gjatë pandemisë dhe bizneset tona kanë nevojë që të adaptojnë tregtinë digjitale. Por ndërkohë, ne gjykojmë që ka një vakum në lidhje me politikat mbështetëse që duhet të merren.

Ju uroj suksese në këtë forum dhe do doja që të ndiqnim bashkë me zotin Gazhelin progresin që ne do kemi në lidhje me këto çështje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA