Pandemia e koronavirusit, sipas mendimit të kancelares Angela Merkel dhe politikanëve të tjerë ndërkombëtarë të nivelit të lartë ofron shansin për një rend të ri të politikës botërore.
Kriza aktuale jep shkas që “përmes bashkëpunimit dhe koordinimit efikas të arrihet sërish një konsensus mbi rendin ndërkombëtar, i cili të bazohet tek multilateralizmi dhe shteti ligjor”, thuhet në artikullin e disa të ftuarve në “Frankfurter Allgemeine Zeitung” që është botuar dhe nga gazeta të tjera gjermane.
Artikulli është nënshkruar edhe nga presidenti i Francës Emmanuel Macron dhe kreu i shtetit në Senegal Macky Sall, thotë DW. Në shkrim janë pjesëmarrës përfaqësues të organizatave dhe institucioneve ndërkombëtare, ndërsa është firmosur dhe nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së António Guterres, Presidentja e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen dhe Presidenti i Këshillit të BE-së, Charles Michel. Kriza e COVID-19 është “prej gjeneratash të tëra sprova më e madhe për solidaritetin mbarëbotëror”, thuhet në tekst.
“Edhe nëse vetëm një vend i vetëm në botë preket prej COVID-19, të rrezikuar janë njerëzit dhe ekonomitë popullore anë e mbanë.” Prej kësaj duhen nxjerrë mësime për krizat e ardhshme. “Në vend të përballjes së kulturave dhe vlerave kundrejt njwri-tjetrit, ne duhet të ndërtojmë një multilateralizëm integrues. Në këtë kontekst ne duhet të respektojmë dallimet mes nesh po ashtu si edhe vlerat e përbashkëta, që janë të ankoruara në Deklaratën e Përgjithshme të të Drejtave të Njeriut”, vazhdon shkrimi.
Grupi propozon një bashkëpunim më të ngushtë në kuadër të forumeve ndërkombëtare të G7 dhe G20. Në fushën e shëndetësisë autorët bëjnë thirrje për një akses më të drejtë dhe të përshpejtuar tek testimet, trajtimet dhe vaksinat.
Top Channel