Në afërsi të qytetit të Shkodrës ndodhet fshati Bërdicë e Sipërme. Tokat bujqësore të këtij fshati janë buzë lumit Drin.

Ka disa muaj që lumi Drin ka ndryshuar rrjedhën e tij, e si rrjedhojë ka nisur të gërryejë tokat bujqësore të të paktën 30 familjeve që kanë tokat pranë tij. Banorët e alarmuar e kanë ngritur si shqetësim në njësinë administrative, në bashki, te bordi i kullimit të ujrave në prefekturë, por deri tani nuk ka ndërhyrë askush. Gjendja sa vjen dhe bëhet më keq.

Ata u ankuan në Fiks Fare pasi deri më tani lumi Drin u ka marrë këtyre banorëve mbi 4 hektarë tokë dhe gërryerja vazhdon. Me shirat e furishëm që kanë rënë ditët e fundit gjendja është rënduar edhe më shumë. Të mbjellat e tyre po i merr lumi, por rrezikojnë edhe shtëpitë.
Fiks Fare u interesua pranë Bordi të Kullimit Shkodër, specialisti Selami Bala shpjegon se drejtoria që ai përfaqëson ka vënë në dijeni Drejtorinë e Emergjencave e cila ka parë gërryerjen me shpejtësi që bën Drini dhe ka nxjerrë një fond prej 1,5 mln lekësh të vjetra për një plan projekt emergjent.

Firma projektuese që ka fituar tenderin ka bërë para 3 muajsh projektin ku ka dalë më një preventiv dhe tani ka mbetur çështja pezull. “Tani presim financim nga ministria për projektin” përfundon specialisti Bala.
Fiksi iu drejtua edhe Prefekturës Shkodër ku prefektja Majlinda Agoni shpjegoi se ishin në dijeni të problemit që ka komunitetit i fshatit Bërdicë e Sipërme.

“Menjëherë shkuam dhe e verifikuam situatën që me të vërtetë është shqetësuese, dhe u vumë në kontakt me Drejtorinë Rajonale të Ujrave dhe të Kullimit dhe paraqitëm rastin urgjent. Situata ishte e frikshme edhe drejtoria që në muajin gusht kishte marrë masa paraprake dhe kishin paraqitur një plan projekt për ndërhyrje. Projekti u dorëzua, në muajin tetor pranë Ministrisë së Bujqësisë. Për ta nxitur dhe për ta bërë sa më shpejt dhe të aplikueshëm projekti është dorëzuar dhe në Ministrinë e Brendëshme. Jemi në pritje të lëvrimit të fondeve, të aprovimit” shpjegoi prefektja.

Reshjet e shumta të shiut që kanë rënë në vendin tonë e kanë bërë edhe më alarmante situatën, ku banorët përveç tokave bujqësore tashmë kanë frikë se lumi mund t’u marrë gjënë e gjallë dhe shtëpitë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA