Marrëveshja Kosovë-Izrael/ Vendosen e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve

01/02/2021 19:49

Kosova dhe Izraeli shënuan momentin historik duke i themeluar marrëdhëniet diplomatike. Kryediplomatja Meliza Haradinaj Stublla dhe homologu izraelit, Gabriel Ashkenazi, në mënyrë virtuale, nënshkruan marrëveshjet për konkretizimin e marrëdhënieve diplomatike dhe bashkëpunimin mes shteteve në fushën e politikës, ekonomisë e tregtisë.

Të dyja shtetet u pajtuan se ky moment nuk do arrihej pa përkushtimin e SHBA-ve.

 “Sot po bëjmë histori, sot po normalizojmë marrëdhëniet mes Izraelit dhe Kosovës, një moment që shumë e kanë pritur. Sot është mundësia jonë që të përmirësojmë marrëdhëniet tona me njerëzit e Kosovës. Kjo marrëveshje është pjesë e Marrëveshjes së nënshkruar në Uashington. Izraeli dëshiron një Ballkan stabil. Marrëveshja e nënshkruar në Uashington për përparim ekonomik në mes të dy miqve tanë, Serbisë dhe Kosovës ne na inkurajon. Izraeli e konsideron Serbinë një partner po aq të afërt dhe të rëndësishëm në Ballkan”, tha Gabriel Ashkenazi, ministër i Punëve të Jashtme, Jerusalem.

 “Vendosja e këtyre marrëdhënieve diplomatike nuk do të ishte e mundur pa bekimin dhe përkushtimin e fuqishëm të Shteteve të Bashkuara. E dashur SHBA, jemi përjetësisht falënderues për përkrahjen bipartizane që kemi marrë nga ju. Krijimi i kësaj marrëdhënie diplomatike sot nuk do të ishte e mundur pa bekimin dhe përkushtimin e juaj. Sot, Izraeli bëhet shteti i 117 që e njeh Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran”, tha Meliza Haradinaj Stublla, ministre e Punëve të Jashtme.

Ajo ka shtuar se hapja e ambasadës dhe dërgimi i ambasadorëve “do të bëhet sa më shpejt”.  Ndërsa Kryeministri në detyrë pas ceremonisë ka thënë se kjo marrëveshje ka thyer bllokadën e njohjeve.

Njohja dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Izraelin buron nga letër zotimi i nënshkruar nga Kryeministri, Avdullah Hoti me 4 shtator në Zyrën Ovale në Uashington.

Top Channel