Vazhdojnë të jenë në ankth familjarët e 19-vjeçares me origjinë shqiptare, Artemis Vasili, e cila u zhduk në Greqi më 16 tetor të vitit të kaluar.
Kanë kaluar tre muaj nga zhdukja e saj dhe emisioni “Dritë në tunel” ka zbardhur detaje të reja nga hetimi. Një dëshmi që mbërriti në emision, alarmoi menjëherë policinë për 19-vjeçaren.
Dëshmitari pretendoi se e pa Artemisin pak para se të arratisej pas një kontrolli në një zonë të caktuar në praninë e një prokurori.
“Policia e Omonia e di shumë mirë se ku është Artemis. Ka disa oficerë policie që paralajmërojnë se kur është koha për tu larguar. Ditën që shkoi prokurori, ata u larguan nga dera e pasme. Ata u zhdukën dhe e morën Artemis nga atje”, tha ai.
Policia ka rifilluar kërkimet në zonën që përshkroi dëshmitari, por nuk ka ende asnjë detaj.
Çfarë ndodhi pak para se ajo të humbte
Shoqja e ngushtë e Artemis Vasili ka folur për një incident që ndodhi në korrik dhe mund të ketë lidhje me zhdukjen e saj.
“Një ditë në verë, prindërit e saj po e kërkonin sepse ajo mungonte me orë të tëra. Ajo më kishte thënë se do të shkonte vetëm në Varkizë për të notuar. Unë nuk e besova, megjithatë… Ka shumë skenarë që kalojnë nëpër mendjen time. Kam frikë se i ka ndodhur diçka e keqe”, tha ajo.
Miq të tjerë të Artemisit thonë se zona e Varkizës duhet të hetohet sepse ajo shkonte atje shpesh që të qetësohej. Ditën kur ajo u zhduk, u pa duke pritur në stacionin e dytë nga Atika në Koropi. Nga atje kalojnë autobusët që përfundojnë në Glyfada dhe Vari.
Top Channel