Presidenti rus Putin nënshkruan zgjatjen e afatit të traktatit të ri START

30/01/2021 03:30
Presidentit i Rusisë, Vladimir Putin

Presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi të premten një projekt-ligj për zgjatjen e traktatit të vetëm të mbetur për kontrollin e armëve bërthamore midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara një javë para se ai të skadonte.

Dy dhomat e parlamentit rus votuan unanimisht të mërkurën për të zgjatur traktatin e ri START për pesë vjet. Zoti Putin dhe Presidenti I Shteteve të Bashkuara, Joe Biden kishin diskutuar lidhur me marrëveshjen bërthamore një ditë më parë dhe Kremlini tha se ata ranë dakord të përfundonin procedurat e nevojshme të zgjatjes së afatit në ditët e ardhshme.

START-i i ri skadon më 5 shkurt. Zgjatja e paktit nuk kërkon miratimin e kongresit në Shtetet e Bashkuara, por ligjvënësve rusë u duhej të ratifikonin masën. Diplomatët rusë thanë që zgjatja e afatit do të konfirmohej me shkëmbimin e dokumenteve diplomatike, kur të përfundojnë të gjitha procedurat.

Traktati, i nënshkruar në vitin 2010 nga Presidenti Barack Obama dhe Presidenti rus Dmitry Medvedev, vendos kufizime që secili vend të mos keë më shumë se 1,550 mbushje bërthamore, si edhe 700 raketa dhe bombardues të dislokuara dhe parashikon inspektime të detajuara për të verifikuar respektimin e tij.

Biden tha gjatë fushatës presidenciale se ai favorizonte mbajtjen në fuqi të traktatit të ri START, i cili u negociua gjatë mandatit të tij si nënpresident gjatë administratës së presidentit Obama. Rusia kishte propozuar prej kohësh zgjatjen e paktit pa ndonjë kusht ose ndryshim, por administrata e ish-Presidentit Donald Trump priti deri vitin e kaluar për të filluar bisedimet dhe vuri disa kushte për zgjatjen e afatit të tij. Bisedimet u bllokuan dhe muaj negociatash nuk arritën të zbusin dallimet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA