LVV, AAK dhe Nisma nuk ndryshojnë renditjen e kandidatëve në listat zgjedhore

30/01/2021 22:11

Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate nuk kanë bërë rirenditjen e kandidatëve në listat zgjedhore, pas vendimit 29 janarit të Gjykatës Supreme

Kështu tha Ylli Buleshkaj nga Zyra për Regjistrimin e Partive dhe Certifikim gjatë mbledhjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ai tregoi se për këtë gjë, partitë kanë pasur afat që të dërgojnë listat e rirenditura deri në ora 16:00.

Buleshkaj tha se vendet në listat e votimit të kandidatëve që nuk janë certifikuar do të hijezohen apo shënjëzohen, në mënyrë që qytetarët të mos ngatërrohen gjatë votimit dhe të zgjedhin ata numra.

Më 29 janar, pasi partitë politike dërguan ankesa për moscerfikimin e disa kandidatëve të tyre për zgjedhjet e 14 shkurtit, Supremja mori vendim për të kthyer disa kandidatë në lista.

Por, sipas vendimit të Supremes nga Lëvizja Vetëvendosje nuk janë certifikuar për zgjedhje: Albin Kurti, Albulena Haxhiu dhe Bajram Mavriqi. Kurti, ishte prijës i listës zgjedhore të Lëvizjes Vetëvendosje.

Më 3 janar, 2018, deputetët e atëhershëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Faton Topalli dhe Donika Kadaj-Bujupi janë dënuar me kusht për hedhjen e gazit lotsjellës në ambientet e Kuvendit të Kosovës. Në shtator të po atij viti, Gjykata e Apelit i ka vërtetuar dënimet e shqiptuara nga gjykata e shkallës së parë.

Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës u është ndaluar të marrin pjesë në zgjedhje këtyre kandidatëve: Gani Dreshaj, Rrahim Ajeti dhe Shqipe Kastrati.

Nisma Socialdemokrate ka pasur 12 kandidatë për deputetë, të cilët kanë pasur probleme me ligjin dhe të cilët nuk janë certifikuar për zgjedhje: Vesel Krasniqi, Besnik Berisha, FIlloreta Bytyçi, Valentina Alijaja, Xhafer Berisha, Aziz Thaçi, Musa Fetahaj, Hasime Daka, Fatmir Gërdellaj, Vehbi Avdullahaj, Endrit Shala dhe Adrian Nokaj.

Në vendimin e Gjykatës Supreme po ashtu, partive politike iu pamundësua që të zëvendësojnë emrat e kandidatëve që kanë probleme me ligjin me kandidat të rinj.

Në mbledhjen e KQZ-së të mbajtur të shtunën, kryetarja e këtij institucioni, Valdete Daka tha se me vendimin e Gjykatës Supreme, certifikimi i kandidatëve për deputetë tashmë është çështje e kryer.

“Ne i kemi kandidatët e certifikuar në kthyer në lista dhe ne nuk na bie të votojmë se a do ta zbatojmë vendimin e Gjykatës Supreme. Ne vetëm obligohemi që ta zbatojmë. Nuk kemi çka të votojmë në atë drejtim sepse praktikisht, certifikimi është kryer nga një institucion tjetër dhe jo nga ne dhe kandidatët konsiderohen të certifikuar”, tha Daka.

Pse nuk u cerifikuan kandidatët për deputetë?

Më 22 janar, në mbledhjen e KQZ-së, anëtarët e këtij institucioni votuan për të moscertifikuar listat zgjedhore të Lëvizjes Vetëvendosje, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Nismës Socialdemokrate dhe disa partive të komuniteteve joshumicë, pasi në to kishte kandidatë që kishin probleme me ligjin.

Pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, të publikuar dhjetorin e kaluar, lidhur me zgjedhjen e Qeverisë së Kosovës, të drejtuar nga Avdullah Hoti, KQZ-ja ka ndërmarrë një proces të verifikimit të kandidatëve për deputetë, për të parë nëse ata nuk kanë probleme me ligjin.

Gjatë seancës së 22 janarit, anëtarët e KQZ-së miratuan listat me kandidatë që nuk ishin ndesh me ligjin apo të atyre partive, që kishin zëvendësuar emrat në listat e tyre pas verifikimit të kryer nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës. KGJK kishte thënë se 47 kandidatë ishin të papërshtatshëm për të garuar për deputetë.

Aktgjykimi i Kushtetueses, por edhe neni 29 i Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, thotë se kandidat për deputet nuk mund të jetë një person, i cili gjatë tri vjetëve të fundit ka qenë i dënuar me vendim të formës së prerë.

Vendimin e 22 janarit të KQZ-së, LVV-ja, AAK-ja dhe Nisma e apeluan në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe më pas në Gjykatën Supreme./REL/

Top Channel