Kryeministri Rama foli nga qyteti i Korçës për largimin e të rinjve e të rejave nga vendi ynë për një jetë më të mirë.
“Do doja të dëgjoja nga ju disa arsye pse të rinjtë e sotëm dhe jo vetëm të rinjtë nuk duhet të largohen nga Shqipëria”. Ishte kjo një pyetje i të riut nga Korça për kryeministrin, i cili u përgjigj se e kupton shumë mirë zgjedhjen e të rinjve: “Është një dhimbje e kësaj kohe, nuk mund ta justifikoj por duhet të shoh realitetin në sy”.
“Nuk e kam një arsye për të thënë pse nuk dihet ti të largohesh në formën e një predikimi. Mendoj se është në radhë të parë e rëndësishme që ne mos të harrojmë që nuk jemi në bunkerin e shokut Enver. Nuk jemi në një fazë të parë të lëvizjeve të njerëzve nga Shqipëria, jemi në vitin e 30 apo 31 të krijimit të mundësisë për shqiptarët që të dalin jashtë vendit të tyre dhe të provojnë veten në vend e të tjera. Shqiptarët kanë ikur deri në kohën kur pastaj u ndërtua bunkeri dhe u mbyllën me zor brenda. Ikin, do ikin, janë kthyer dhe do kthehen, trendet janë varur gjithmonë nga trendet historike. A janë vetëm shqiptarët dhe Shqipëria që përballen me këtë fenomen sot? Në fakt jo!
Nëse kthejmë kokën pas dhe këtu nuk flas për 7 vite, por për 30 vite më parë, transformimi që i ka ndodhur Shqipërisë, pavarësisht se brena këtij ka pasur një sërë ndryshimesh negative, është një nga transformimet më të mëdha që ka ndodhur në kontinentin tonë. Por ne sot jemi njëkohësisht në mes të një kontinenti ku është përqendruar pasuria më e madhe e botës. Unë e kuptoj shumë mirë një të ri 20 vjeç nga Pusteci, apo fshati më i largët i Korçës, Lekasi, që thotë ore dakord i kuptoj të gjitha këto që thua ti, por unë jam 20 vjeç, jam këtu, sa do pres unë dhe kë do pres unë që të jetoj siç jetojnë bashkëmoshatarët e mi në Gjermani.
E kuptoj shumë mirë dhe s’kam asnjë përgjigje tjetër, përveçse : Kjo është zgjedhja jote. Ndërkohë që ai thotë: Unë nuk te pres as 1 vit më shumë se do shkoj ta provoj atje. Është pastaj ana komike kur dëgjon disa që thonë që do ta zgjidhin ata këtë punë. Është një dhimbje e kësaj kohe, nuk mund ta justifikoj por duhet të shoh realitetin në sy. Sot ne të bëjmë gjërat e duhura dhe të jemi të vetëdijshëm që nuk ka shkop magjik, nuk ka zgjidhje sa hap e mbyll sytë, thjesht nuk ka. Nuk mundet Shqipëria ti ofrojë atij djalit nga Lekasi atë që i ofron Gjermania, ka limite. Është një ajo që ju thash, ajo bebe që lind sot nuk mund ta bësh ti 10 vjeç. Rri këtu dhe kupto që ti këtu e ke vendin!”, shprehet Rama.
Top Channel