Një ngjarje e pa zakontë ka ndodhur në qytetin e Lamias në Greqinë Qendrore, ku sipas mediave lokale,ka shkaktuar habi dhe hutim tek policia vendase.

Sipas këtyre mediave, një patrullë e ndërhyrjes së shpejtë të policisë Greke,ka ndaluar një automjet të dyshimtë që po kalonte në rrugët kryesore të qytetit të qetë të Lamias. Mbasi i kanë dhënë sinjalin e ndalimit,agjentët kërkuan prej udhëtarëve të dalin një nga një nga automjeti i blinduar i markës BMW në të cilin ndodheshin.

Me habi dhe hutim, agjentët panë të parin të dalë prej automjetit, i dënuari i famshëm i burgjeve greke, Alket Rizai dhe më pas një shtetas grek, edhe ai personazh i njohur i botës së krimit në vend dhe në vazhdim në tjetër shqiptar, 36 vjeç.

Pasuan momente frike dhe hutimi,me policët të cilët besuan se ndoshta Rizai kishte bërë një tjetër arratisje spektakolare nga burgjet greke,por ka qenë vetë Alket Rizai që i ka informuar se ai ka dalë me leje nga burgu i sigurisë të lartë në Dhomoko dhe se nuk ka arsye që të vihen në alarm.

Pasi janë verifikuar të dhënat e 3 personave që ndodheshin në automjet,u gjet se personi i tretë që ndodhej në automjet ishte një shtetas shqiptar i shpallur në kërkim për disa vepra penale.

Ai u arrestua dhe do të dërgohet në gjykatë, ndërsa Alket Rizai dhe shtetasi grek u lanë të lirë të vazhdojnë udhëtimin e tyre.

Alket Rizai është dënuar me shumë vite burg në një numër të madh procesesh ndaj tij. Ai pritet të lirohet brenda dy viteve të ardhshme.

Jo pak herë Rizai është shprehur se sistemi grek i drejtësisë ka qenë i ashpër me të,dhe se është denuar shumë më tepër sesa normalja për aktet e ndryshme kriminale që ai ka kryer. Ai është arratisur në mënyrë spektakolare nga Korridhalosi me helikopter.

Top Channel