Hapet qendra e re shëndetësore në Lagjen 13, Veliaj: Ofrohet i njëjti shërbim, si në qendër, edhe në periferi

30/01/2021 11:58

Banorët e Selitës, Kodrës së Diellit dhe Liqenit të Thatë, nuk kanë më nevojë të shkojnë në Njësinë 5 për të kryer vizitat shëndetësore.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu dhe deputetja e PS, Mimi Kodheli përuruan sot qendrën e re shëndetësore, e cila u shërben 12 mijë banorëve te Lagjes 13.
Kryebashkiaku Veliaj tha se hapja e kësaj qendre shëndetësore, ashtu siç pritet të hapen së shpejti edhe 2 qendra të tjera në Astir dhe Lanabregas, është një lajm i mirë për komunitetet e këtyre zonave, për faktin se do të ofrohet i njëjti shërbim, si në qendër, ashtu edhe në periferi.

“Ky është një lajm i mirë për një lagje që është rritur jashtëzakonisht shumë. Tani po vijnë shërbimet, jo vetëm për zonën e Liqenit të Thatë, Kopshtit Botanik, Kopshtit Zoologjik, por edhe për gjithë pjesën buzë autostradës, që ndan Njësinë 5 me Lagjen 13. Ky lajm i mirë do të vijë edhe për Astirin dhe Freskun. Në Qesarakë po funksionon shumë mire dhe më në fund, edhe në Lanabregas ofrohet i njëjti shërbim, si në qendër, ashtu edhe në periferi”, u shpreh Veliaj.
Kjo qendër shëndetësore do të ofrojë paketën e plotë të shërbimeve në kujdes parësor, duke filluar nga mjeku i familjes, vaksinimi dhe imunizimi, sipas kalendarit kombëtar për fëmijët, që përfshin 12 vaksina, recetat me rimbursim për të sëmurët kronikë dhe ndjekjen e pacientëve me Covid 19.

“Shërbimet që ofrohen fillojnë nga konsultat tek mbështetja për të sëmurët kronikë, gjithë elementët që janë pjesë e paketës së rumbursimit falas, duke përfshirë edhe trajtimin anti-covid”, u shpreh ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu. Ajo shtoi se nga e hëna do të hapen dhe 4 pika të tjera testimi anti-covid, duke e çuar ne 10 numrin e tyre në kryeqytet.

Në Bashkinë e Tiranës, në këto 3 vite, janë transformuar 34 qendra shëndetësore dhe ambulanca, duke ofruar shërbim cilësor për qytetarët dhe kushte më të mira pune për personelin shëndetësor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA