Shtimi i numrit të vdekjeve e ka rënduar situatën në varrezat publike të qytetit bregdetar të Durrësit, ku nevoja për shërbime është tre-kafishuar gjatë pandemisë. Përveç mungesës së theksuar të sipërfaqeve për varre te reja, në dy hapësirat e dedikuara për to, shqetësim kryesor mbetet mungesa e mirëmbajtjes dhe ruajtjes së tyre.
Soren Dedja, nëndrejtor i ndërmarrjes komunale Durrës:
“Në vitet 2018-2019 mesatarja e varrimeve ishte 2-3 në ditë, ndërsa në dimër rritej në 4, por 6 mujorin e fundit ka qenë 10-11 varrime në ditë duke e bërë të pamundur përballimin e këtij fluksi.Aktualisht kemi çuar personel shtesë për të përballuar fluksin, po situata po përballohet me vështirësi.”
Ngado të zë syri plehra dhe barëra të këqija që janë kthyer në strehë për zvarranikët. Ka dhe varre të dëmtuara. Në këtë situatë, Bashkia e Durrësit me miratim të Këshillit Bashkiak ka vendosur sërish të kërkojë nisjen e procedurave për kalimin e shërbimit të mirëmbajtjes dhe ruajtjes së varrezave te privati, pa ndryshuar tarifat për qytetarët.
“Operatori ekonomik që do të garojë duhet të plotësojë disa kritere, siç është mosndryshimi i tarifës që paguajnë qytetarët, 24 mijë lekë, si dhe kalimi i fuqisë punëtore te operatori ekonomik.”
Kjo është hera e tretë në 6 vitet e fundit që Bashkia e Durrësit përpiqet ta kalojë këtë shërbim te privati. Deri në realizimin e këtij kalimi, ndërmarrja komunale që po përballet me ngarkesë pune dhe për shkak të detyrave të tjera funksionale që ka, do të vijojë të jetë përgjegjëse për mirëmbajtjen e varrezave.
Top Channel