Serbia, Mali I Zi e Bosnja kanë deklaruar se do të përdorin vaksinën kineze, e tashmë ajo do të mbërrijë dhe në Shkup.
Qeveria maqedonase miratoi vendimin për blerjen e 200 mijë vaksinave kineze, ndërsa paraprakisht ka porositur edhe më shumë se 800 mijë të tjera përmes mekanizmit COVAX, por ende nuk ka marrë asnjë dozë.
Vendi fqinj deri tani nuk ka marrë as vaksinat që i ka falur Serbia apo ato të premtuara nga Bullgaria. Në Maqedoninë e Veriut ngjalli shqetësim lajmi se ka pasur disa persona të infektuar me variantin e ri të koronavirusit. Por autoritetet shprehen të bindura se gjendja mund të mbahet nën kontroll, e madje thonë se në formën që po manifestohet tani sëmundja, është mjaft më e lehtë sesa ajo e mëparshmja.
“Shfaqja e këtij lloji të virusit nuk duhet të na befasojë duke marrë parasysh faktin se tani atë e kemi në shumë vende tjera”, ka deklaruar ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.
Varianti i ri i koronavirusit u zbulua në laboratorin privat të klinikës “Zhan Mitrev” në Shkup te një burrë 46 vjeç, i cili tashmë është shëruar. Ndërsa partia opozitare VMRO DPMNE-ja thotë se në fakt, ky variant i virusit ka qarkulluar në vend që prej datës 29-dhjetor, dhe autoritetet sipas tyre e kanë anashkaluar shumë çështjen e vaksinave.
Top Channel