Sulmet kundër Islamit në Francë u rritën me 53% në vitin 2020

29/01/2021 10:42

Sulmet kundër Islamit në vitin 2020 në Francë shënuan rritje me 53 për qind në krahasim me një vit më parë.

Abdallah Zekri, kryetari i Observatorit Kombëtar Kundër Islamofobisë në Francë i lidhur me Këshillin Islam të Francës (CFCM), në një deklaratë me shkrim tha se sulmet më shumë janë kryer në rajonet Rhones-Alpes, Paca dhe në Ile-de-France e cila përfshin edhe Parisin, sipas AA.

“Vitin e kaluar kundër muslimanëve janë kryer 235 sulme”, njoftoi Zekri i cili vuri në dukje se kjo shifër është rritur me 53 për qind krahasuar me një vit më parë ku sulmet ishin 154.

Më tej Zekri informoi se sulmet ndaj xhamive në vitin 2020 janë rritur me 35 për qind.

Vitin e kaluar janë dërguar 70 letra kërcënuese ndaj qendrave të CFCM-së ose në shtëpitë e drejtuesve të tyre bëri të ditur Zekri i cili nënvizoi se janë shqetësuese publikimet në mjedisin virtual ndaj islamit dhe muslimanëve si dhe përhapja e e-maileve që nxitin urrejtjen kundër muslimanëve.

Zekri theksoi se muslimanët në Francë janë të shqetësuar se disa francezë e shohin negativisht Islamin.

Duke theksuar se nuk ka asnjë marrëdhënie mes Islamit dhe terrorizmit, Zekri vuri në dukje se muslimanët që jetojnë në Francë duhet të jetojnë fenë e tyre ashtu sikurse anëtarët e feve të tjera.

Pas vrasjes së mësuesit Samuel Paty në tetor 2020, në vend u vërejtën rritje në sulmet kundër Islamit.

Në Francë krahas sulmeve kundër islamit u përgatit edhe një projektligj që vendos në objektiv muslimanët.

Projektligji që qeveria e presidentit Emmanuel Macron përgatiti vitin e kaluar i cili njihet si “separatizmi islamik” dhe i cili u ndryshua si “parimet që forcojnë respektin ndaj vlerave të republikës” kritikohet se vendos në objektiv komunitetin musliman në Francë dhe se sjell kufizime pothuajse në çdo fushë të jetës tyre.

Projektligji, krahas ndërhyrjes ndaj xhamive dhe shoqatave që janë përgjegjës për administrimin e këtyre xhamive, parashikon që të marrë nën kontroll financimet e shoqatave dhe institucioneve të shoqërisë civile që u përkasin muslimanëve.

Paralelisht me këtë CFCM me mbështetjen e qeverisë përgatiti “Rregulloren e Parimeve të Islamit Francez”. Teksa shumë institucione të shoqërisë civile muslimane kanë nënshkruar këtë rregullore, bëhet e ditur që me arsyetimin se tjetërson muslimanët këtë rregullore nuk e kanë nënshkruar Komiteti i Koordinimit të Shoqatave Turke Muslimane në Francë (CCMTF), Konfederata Islame Vizioni Kombëtar (CIMG) dhe institucioni i emërtuar “Besim dhe Praktikë”.

Në rregullore dalin në pah pikat që “Islami të jetë në përputhje me vlerat e Francës, refuzimi i përdorimit të Islamit me qëllime politike, vendet e huaja nuk duhet të ndërhyjnë në përjetimin e fesë në Francë dhe barazia gjinore”.

Ndër të tjera në rregullore thuhet se sulmet kundër muslimanëve që jetojnë në Francë kryhen nga një “pakicë ekstremiste” dhe se këto nuk duhet të pajtohen me shtetin dhe popullin francez dhe që retorika se “shteti është racist” është një shpifje.

Në Francë jetojnë rreth 6 milionë muslimanë, shumica e të cilëve nga vendet e Afrikës Veriore. Franca ndodhet në vend të parë në mesin e vendeve në Evropë ku jetojnë më shumë muslimanë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA