Presidenti rus, Vladimir Putin ka miratuar zgjatjen e marrëveshjes për kontrollin e armëve bërthamore që ka Rusia me Shtetet e Bashkuara, ka njoftuar Kremlini.
Parlamenti rus ka votuar po ashtu të mërkurën për zgjatjen e Traktatit për Reduktimin e Armëve Strategjike.
Putin e ka përshkruar këtë vendim më herët si “hap në drejtim të duhur” dhe ka paralajmëruar vazhdimisht për garë të madhe armësh, nëse nuk vazhdohet traktati.
Administrata e ish-presidentit amerikan, Donald Trump ka negociuar me Rusinë këtë çështje, mirëpo nuk ka mundur të arrijë marrëveshje.
Traktati për Reduktimin e Armëve Strategjike, ka nisur së zbatuari më 2011 dhe ka të bëjë me një marrëveshje në mes të SHBA-së dhe Rusisë për kontroll të rezervave të armëve dhe lejim të inspektimeve.
Të dyja shtetet kontrollojnë rreth 90 për qind të armëve bërthamore.
Marrëveshja e re u kufizon deri në 1,550 numrin e kokave bërthamore dhe 800 numrin e sistemeve për nisje të raketave.
Sipas Ministrisë së Jashtme ruse, SHBA-ja dhe Rusia i kanë blerë njëra-tjetrës më shumë kohë për të negociuar një marrëveshje të re, e cila mund të përfshijë edhe armë tjera bërthamore dhe lloje tjera armësh.
Presidenti amerikan Joe Biden dhe ai rus, Vladimir Putin kanë zhvilluar një bisedë telefonike të martën, në të cilën Biden ka përsëritur se SHBA-ja dëshiron të vazhdojë traktatin.
Top Channel