Dukesha e Kembrixhit, tha se sfidat e prindërimit dhe shkolla në distancë, gjatë izolimit, e kanë lodhur shumë.
Gjatë një bisede në lidhje video me një grup prindërish, Kate po ashtu bëri shaka duke thënë se tre fëmijët e saj, struken të tmerruar kur ajo duhet t’u presë flokët. E pyetur të vlerësojë aftësitë e saj në matematikë, dukesha i dha vetes notën -5.
Ajo i kërkoi njerëzve të ndihmojnë të dashurit e tyre dhe miqtë, nëse ata ndjehen të izoluar. Kate mori pjesë në një diskutim me tre prindër, fëmijët e të cilëve shkojnë në shkollën Roe Green Junior në Kingsbury, në veri perëndim të Londrës, bashkë me drejtoreshën e shkollës, Melissa Loosemore. Kjo e fundit i kërkoi grupit të shkruante një fjalë që përshkruante prindërimin gjatë pandemisë. Dhe fjala e zgjedhur nga dukesha ishte “e dërrmuar”, ndërsa prindërit e tjerë kishin ndjesi të ngjashme duke shkruar sfiduese, kaotike dhe durim. “Unë mendoj se si prindër, kemi elementë të caktuar të prindërimit, ditë pas dite, por gjatë izolimit, është dashur të marrim edhe role shtesë që të tjerë në komunitetet tona do të na kishin ndihmuar. Unë jam bërë një parukiere gjatë izolimit dhe kam parë fëmijët të tmerruar ndërsa shihnin nënën tu priste flokët. Jemi bërë edhe mësues dhe unë mendoj, personalisht, se jam përpjekur të luaj shumë role, në drejtime të ndryshme, sa më mirë që kam mundur, por në fund të ditës jam ndjerë e dërrmuar”.
Top Channel