Katër të vdekur nga zjarri në një spital covid në Bukuresht

29/01/2021 10:14

Zyrtarët rumunë thanë se së paku katër persona kanë vdekur pas shpërthimit të zjarrit në një spital në Bukuresht, ku po trajtoheshin pacientë me koronavirus.

Sekretari i Ministrisë së Brendshme, Raed Arafat, tha se tre pacientë janë gjetur të vdekur në spitalin Matei Bals, ndërsa i katërti ka vdekur, pavarësisht përpjekjeve për ta shpëtuar.

Gjashtëdhjetë njerëz u transferuan në ndërtesa të tjera të Institutit Matei Bals dhe 44 të tjerë në spitale të tjera të Bukureshtit, tha ministri i Brendshëm rumun, Lucian Bode.

Zjarri, i cili u shua, shpërtheu në katin e parë, rreth orës 5 të mëngjesit.

Sipas zjarrfikësve, në ndërtesë kanë qenë reth 200 njerëz në kohën e zjarrit.

Shkaku i incidentit nuk dihet ende.

Ministria e Shëndetësisë sugjeroi se ai mund të jetë shkaktuar nga një qark i shkurtër elektrik.

Autoritetet kanë nisur tashmë hetimet.

Rumania, njëri nga vendet më të varfra në Bashkimin Evropian, po përpiqet ta menaxhojë pandeminë e koronavirusit me një sistem të dobët shëndetësor dhe mungesa stafi.

Ky vend me 19 milionë banorë ka raportuar mbi 721,000 raste me koronavirus dhe mbi 18,100 viktima.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA