Ekipi ndërkombëtar i OBSH-së viziton spitalin në Wuhan ku u trajtuan pacientët e parë

29/01/2021 15:03

Hetuesit ndërkombëtarë të OBSH-së, janë takuar me shkencëtarët kinezë dhe kanë vizituar një spital në Wuhan të Kinës, ku edhe janë trajtuar pacientët e parë, pas zbulimit të koronavirusit të ri.

Ekipi i caktuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë po heton origjinën e koronavirusit. Ekspertët kanë planifikuar vizita në laboratorë, tregje dhe spitale të Wuhanit. Misioni hulumtues është përballur me vështirësi në nisjen e punës, pasi Kina i kishte kërkuar OBSH-së më shumë kohë për të lejuar vizitën. Madje, zyrtarët kinezë dhe mediat shtetërore janë përpjekur të hedhin dyshime, nëse virusi e ka origjinën në Kinë.

Në 28 janar, familjarët e viktimave që humbën jetën nga koronavirusi në Vuhan të Kinës, thanë se autoritetet kineze kanë fshirë një grup në mediat sociale që ata kanë pasur dhe po u bëjnë presion që të mos flasin. Dhjetëra familjarë të viktimave janë bashkuar në platformat online, për të kërkuar përgjegjësi nga zyrtarët e Wuhanit, të cilët ata i fajësojnë se nuk e kanë trajtuar siç duhet situatën, kur në fund të vitit 2020 u regjistruan rastet e para me koronavirusin e ri, shkruan AFP.

Koronavirusi i ri besohet se ka origjinën nga lakuriqët dhe fillimisht është përhapur në një treg në Wuhan ku kafshët e egra shiten si ushqim. Por, për këtë teori dihet shumë pak. Një tjetër teori, të cilën e ka përmendur vazhdimisht edhe ish-presidenti amerikan, Donald Trump, është që virusi ka dalë nga një laborator në Wuhan, ku shkencëtarët ishin duke studiuar koronavirusët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA