Gazeta serbe BLIC ka publikuar një lajm që flet për ekzistencën e një dokumenti në SHBA, për mbylljen e dialogut mes Serbisë dhe Kosovës.
Ky dokument, sipas Blic, është shfaqur në Uashington dhe pas tij qëndron një njeri i ish presidentit amerikan, Barak Obama. Sipas dokumentit, ekzistojnë tre mundësi për një marrëveshje mes dy vendeve por edhe theksohet se asnjëra nuk është ideale.
E para është përdorimi i “stimujve” për Serbinë – mbështetja e donatorëve dhe anëtarësimi i përshpejtuar në BE për të rënë dakord për njohjen, e dyta është që Serbia të miratojë formimin e qarqeve të reja autonome për serbët e Kosovës, por edhe për shqiptarët në Serbi, dhe e treta është për t’u kthyer në çështjen e debatuar të shkëmbimit të territoreve.
Blic nënvizon se këto janë edhe përfundimet e analizës “Rinisja e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë”, pas së cilës qëndron Grupi Ndërkombëtar i Krizave, një institut studimesh me shumë ndikim.
Robert Malej, drejtor i grupit, ka qenë më parë këshilltar i shtëpisë së bardhë gjatë mandatit të presidentit Barak Obama. Ndërkohë një zhvillim më i fundit është biseda telefonike e zhvilluar mes presidentit amerikan Joe Biden dhe kancelares Angela Merkel, ku sipas mediave serbe është thënë se Ballkani do të jetë prioritet i presidencës së tij.
Në deklaratën e shpërndarë nga shtëpia e bardhë, pas bisedës, thuhet ndërkohë se Biden dhe Merkel, veç temave të tjera të nxehta në rrafshin ndërkombëtar, biseduan edhe për Ballkanin Perëndimor ku zgjidhja e çështjes së Kosovës dhe marrëveshja mes Prishtinës dhe Beogradit, konsiderohet prioritet.
Kjo telefonatë rikthen Berlinin si aktor kyç në dialogun mes Serbisë e Kosovës ndërkohë që Donald Trump i prishi marrëdhëniet me Berlinin duke synuar një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin vetëm të Uashingtonit.
Këto përplasje, sipas shumëkujt, janë në sfondin e shumë zhvillimeve në Kosovë, si burgosja e thuajse gjithë ish drejtuesve të institucioneve të vendit, mbetjen pa presidenti e më pas edhe shkuarjen në zgjedhje të parakohshme. Dialogu mes Serbisë dhe Kosovës, me gjasë do të rifillojë pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, kur si Uashingtoni ashtu edhe Berlini do të kenë një rol prioritar.
Top Channel