Testi i shpejtë i tipi ‘invasiv’ (në brendesi) kryhet me futjen e tamponit 2-3 centimetra brenda fundit të zorrës dhe duke e rrotulluar disa herë. Aplikacioni raportohet se po përdoret në Pekin për kufizimin e shpërndarjes së infektimeve me Covid-19.
Njoftimi i çuditshëm është dhënë nga televizioni shtetëror kinez dhe ka shkaktuar habi e ironi në mediat sociale.
Zhvillimi vjen në kohë kur disa qytete veriore kineze po izolohen prej pikasjes së rasteve të reja të koronavirusit.
Më parë testimet masive kryheshin me anë të tamponeve të hundës e fytit.
Procesi i ri duket mjaft i sikletshëm, por autoritetet kineze thonë se ka të njëjtën efektivitetet dhe mund të kryhet brenda 10 sekondave.
Li Tongzeng, doktor i vjetër në spitalin Youan në Pekin thotë se tamponi anal “rrit përqindjen e detektimit të njerëzve të infektuar”
Ai argumenton se gjurmët e virusit qëndrojnë më gjatë në anus sesa në rrugët respiratore, në të cilat kryen tamponet e hundës dhe fytit.
Tongzeng tha për rrjetin CCTV: “Ne zbuluam se disa pacientë asimptomatikë rekuperoheshin shumë shpejt. Por kjo mund të ishte pasi nuk gjendeshin gjurmë të virusit në fytin e tyre pas dy apo tre ditësh”.
“Virusi zgjat më shumë në mostrat e marra nga rrugët tretëse të pacientit, dhe nga jashtëqitja, në krahasim me rrugët respiratore”.
Tamponet anale janë pritur me kritika nga disa ekspertë.
Yang Zhanqiu, drejtor i repartit të biologjisë së patogjenëve në Universitetin e Vuhan tha se tamponët e hundës e fytit mbeten mjetet më efektive, pasi virusi është një sëmundje respiratore.
“Ka pasur disa raste në lidhje me testet pozitive të pacientëve nga jashtëqitja e tyre, por nuk ka prova që të sugjerojnë se sëmundja mund të transmetohet nga sistemi tretës, dhe rrjedhimisht nuk ka garanci sesa aktive ose infektuese janë mostrat në jashtëqitje”.
Shumë përdorues në rrejtin social kinez Weibo, kanë reaguar me tmerr dhe humor.
Një prej tyre thoshte me shaka: “Kam bërë dy tampone anale, dhe më pas atë të fytit, kam frikë se infermierja do të harrojë ta ndërrojë tamponin”.
“Dëm i vogël, por turpërim i madh”, shkruante një tjetër.
Pekini ka njoftuar ndërkohë se zonat me rrezik të mesëm e të lartë do të izolohen prej të enjtes.
Top Channel