Tirana do të fillojë këtë javë të 17-të të Superligës me trajnerin e saj të tretë për këtë sezon Orges Shehin, i prezantuar ditën e mërkurë nga presidenti bardheblu Refik Halili.
Refik Halili: Është një kampion, një njeri me pak fjalë dhe shpresoj të bëjë mirë edhe tek klubi jonë sic ka bërë kur ishte lojtar. Kurse sa i përket kontratës, është e pafundme nëse ai do të ketë rezultate. Kjo ka qenë gjithmonë kështu për këdo që ka ardhur në drejtim të klubit.
Ndërkohë që në karrierën si trajner, për Orges Shehin Tirana është niveli më i lartë që i jepet mundësia të drejtojë.
Orges Shehi: Jam krenar dhe shumë I kënaqur që bëhem pjesë e klubit më të titulluar në vend. Dhe sigurisht duke qenë një klub me kaq shumë tituj, ambicjet janë të mëdha. Ne kemi rrugë të gjatë përpara, skuadra do të tentojë të ngjitet sa më lart. Presioni është prezent dhe është normale, sepse është skuadër me pritshmëritë të mëdha, por unë nuk i trembem presionit.
Por që prej largimit të Dedes i gjithë ambienti sportiv vlon rreth ndërhyrjeve të drejtuesve në çështjet e trajnerit.
Refik Halili: Nëse ne sugjerojmë ndonjë gjë nuk është gjë e keqe është gjë e mirë, sugjerimet nuk mungojnë asnjëherë,pasi çdo gjë bëhet në bashkëpunim, me drejtorin me klubin, me futbollistët duhet me qenë i kujdesshëm.
Si e sheh trajneri i ri Shehi këtë këndvështrim?
Orges Shehi: Përsa i përket sugjerimeve unë jam një trajner që nëse klubi ka politika për një lojtar për ta çuar në një kampionat tjetër, patjetër që do ta promovojmë. Por sa i përket ndërhyrjes, mua më është thënë që ne duam rezultat, për mua nuk më intereson kush është në fushë, duam rezultat.
Top Channel