Koreja e Veriut ka filluar të zhvillojë vaksinën e saj kundër koronavirusit duke përdorur të dhënat e ‘hakuara’ nga shkencëtarët e huaj.
Pavarësisht deklaratave të liderit suprem Kim Jong Un se nuk është shënuar asnjë rast pozitiv me Covid-19, zhvilluesit e vaksinës pritet ta testojnë produktin e tyre tek njerëzit me simptoma të virusit.
“Daily NK” raporton se shkencëtarët në Universitetin Kim Il Sung po përdornin ekspertiza nga aktivitetet e të tjerëve, të cilat i kanë siguruar në mënyrë ilegale për të vazhduar punën e tyre në Institutin e Kërkimeve Biologjike.
Vjedhja e të dhënave është bërë vitin e kaluar para se të autorizohej ndonjë vaksinë në Europë apo SHBA. Partia në pushtet në Korenë e Veriut kishte krijuar një njësi të specializuar të quajtur “Bureau 325” kushtuar inteligjencës së piraterisë në Covid-19, përfshirë vaksinat.
Duke marrë urdhra direkt nga komiteti qendror i partisë, thuhet se gjithçka i raportohej motrës së Kim Jong Un. Bazuar në aktivitetet e piraterisë në fund të vitit të kaluar, shkencëtarët kanë filluar testimin e produktit të tyre mbi pacientë me simptoma të ngjashme me ato të shkaktuara nga Covid-19.
Burimi tha që provat e fazës së parë dhe të dytë kanë përfunduar ndërsa pritet të përfundojnë dhe ato të fazës së tretë.
Top Channel