Kjo farmaci në rrugën Bardhok Biba, rreth orës 20: 13 minuta, mbrëmjen e së martës ra preh e një grabitjeje. Një person i maskuar me kapuç dhe me maskë anti covid, hyn dhe merr rreth 170 mijë lek të vjetra në kasë. Më pas, ai largohet menjëherë. Këto janë edhe pamjet që Top Channel ka siguruar, nga momenti kur autori largohet pas vjedhjes.

Policia ende nuk e ka identifikuar hajdutin për shkak të maskimit të tij, ndërkaq, pronarët kanë bërë kallëzim në polici.

Por ky nuk është rasti i vetëm i vjedhjeve që kryhen nga autorë të cilët së fundmi, gjatë pandemisë, kanë filluar të përdorin maskë anti covid si metodë për të fshehur identitetin, pasi pjesa më e madhe e bizneseve rezultojnë me kamera sigurie.
Ndërsa, personi që shihni në foto, i maskuar, është duke hyrë në një institucion për dhënie kredie në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur në datën 21 janar. Në të njëjtën ditë ai ka vjedhur edhe një farmaci.

Pa maske, personi është ky. I identifikuar si Kristi Çinari 21 vjeçc, por ende nuk është bërë kapja e tij.

Që nga nisja e pandemisë, në vendin tonë janë regjistruar mbi 60 raste të vjedhjeve, ku autorët kanë përdorur maskë anti covid. Mbi 20 prej tyre janë regjistruar vetëm në Tiranë. Në 5 vjedhje autorët kanë përdorur edhe armën për kërcënim.

Kryesisht janë goditur biznese të vogla, si farmaci, dyqane rrobash, markete, por edhe filiale të bankave.

Këto vjedhje, policia i ka të vështira për t’i zbardhur, për shkak të metodës së re të hajdutëve, kapuç edhe maskë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA