Kur Bashkimi Evropian ngriti programin e blerjes së vaksinave anti covid, duke mbledhur kështu fuqinë e blerjes së të gjithë vendeve anëtare, kjo për britanikët dukej e admirueshme, por britanikët tani e shohin ndryshe.
“Faleminderit Zot që ne jemi jashtë”, shkruan për të përditshmen britanike, Daily Mail, Ross Clark, një gazetar i njohur britanik. Kjo qasje pan evropiane, supozohej se do të siguronte akses të drejtë dhe të barabartë tek vaksina për të gjithë bllokun. Kur Britania zgjodhi të ndiqte rrugën e saj, pati shumë zëra që paralajmëronin për pasoja të rënda. Liberaldemokratët e quajtën vendimin të pafalshëm. Por, siç shkruan Clark, shihet qartë tani se BE ka dështuar të vendosë në jetë idealet e saj. Dhe duke e bërë këtë, ka nxjerrë në pah një hipokrizi me rrënjë të thella në zemër të një blloku proteksionist që mund të predikojë tregtinë e lirë por që nuk do të hezitojë të përdorë çdo truk të mundshëm për të përfituar një avantazh.
Shumë britanikë, nuk shohin me sy të mirë, rregullat e reja që Komisioni Evropian do të vendosë për eksportet, që do të detyrojnë kompanitë farmaceutike të njoftojnë paraprakisht për çdo dorëzim të tyre. Lëvizja kërcënon programin britanik të vaksinimit, sepse vaksina e Pfizer dhe Biontech që po administrohet në vend, prodhohet në fabrikën në belgjikë. Britania ka porositur 40 milionë doza, 3.5 milionë nga të cilat duhet të mbërrijnë në vend gjatë tre javëve të ardhshme dhe shifra është thelbësore për të plotësuar objektivin e vaksinimit të grupeve me prioritet, që arrijnë në 15 milionë njerëz, deri në mes të shkurtit. Sipas komisioneres së BE për shëndetësinë, Stella Kiriakides, BE po e ndërmerr këtë hap si kundërpërgjigje ndaj një paralajmërimi të Astra Zeneca-s, javën e kaluar, se furnizimet me vaksina për BE do të vonohen. Problemet në prodhim, siç tha kompania me qendër në Britaninë e Madhe, bëjnë që ajo të mundë të sjellë në be vetëm 31 milion nga 80 milionë dozat e porositura nga BE. Sidoqoftë, vaksinimi në Britani po ecën me ritme të shpejta ndërsa në Evropë, është shënjuar nga probleme.
Top Channel