Një tjetër shtyrje për procesin e fiskalizimit për kategoritë që nuk ka nisur ende.
Është kjo kërkesa që ka biznesi për qeverinë, pasi sipas përfaqësuesve të tyre sipërmarrja e goditur nga pandemia nuk është ende gati për zbatimin e tij.
Sipas Arben Shkodrës, Sekretar i Shoqatës së Prodhuesve pilotimi në të gjithë segmentet e bizneseve nuk është mënyra e duhur për të çuar përpara reformën.
“Ndoshta pandemia ishte moment jo i duhur për të nisur procesin, jemi akoma në pandemi. Nëse gjatë pilotimit të segmentit të parë do dalin problematika ligjore, qeveria e di shumë mirë se nuk ka kohën për të adaptuar masat e reja. Do ta formalizojmë brenda këtij muaji edhe kërkesën me shkrim që të ketë një shtyrje për vitin tjetër ose kur te krijohen kushtet e domosdoshme për të performuar edhe kategoritë e tjera. Nëse është e volitshme le të fillojë më pas edhe te segmentet e tjera.” Arben Shkodra, Sekretar i Shoqatës së Prodhuesve.
Krahas kohës së kufizuar në dispozicion për t’u bërë gati për fiskalizimin, kostot shtesë shihen si shqetësimi kryesor nga sipërmarrja, pasi sipas tyre do të rëndojë më tej bizneset e vogla për t’iu përshtatur procesit.
“Biznesi i madh dhe biznesi VIP nuk besoj që e ka problematikë më të madhe koston për aq kohë sa nuk ka një shpërndarje shumë të madhe në njësi. Ndërsa biznesi i vogël, i cili është edhe më i pamunduri ka dy probleme: E para, ka kulturën e ulët fiskale që nënkupton se nuk performon mirë në sistemet dixhitale. Kostot janë marrja e certifikatës nga AKSHI-I, le të ishte njëlloj si shërbimet e tjera pa pagesë në e-Albania ose me kosto simbolike. Kostot janë kostot e internetit, kompjuterit, sistemi, internetit dhe padyshim duhet një person i trajnuar dhe angazhuar. Ka kosto që variojnë nga 150-250 euro për një njësi.” Arben Shkodra, Sekretar i Shoqatës së Prodhuesve.
Për Arben Shkodrën më shumë se sa bizneset, ky proces do të ndihmojë qeverinë në drejtim të mirë-administrimit fiskal, pasi përmes kësaj reforme ekzekutivi synon të rrisë me 10% të ardhurat në buxhetin e shtetit.
Top Channel