Nis proces i trajnimeve për punonjësit e Policisë për procesin zgjedhor “25 prill 2021”

26/01/2021 13:23

Në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ditën e sotme, është zhvilluar një takim online mbi fillimin e procesit të trajnimit për drejtuesit dhe punonjësit e Policisë që do të jenë të angazhuar për mbarëvajtjen e zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë që do të mbahen pas 3 muajsh.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, në prezencën e Kreut të OSBE-së në Tiranë, Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve dhe zv/Prokurorit të Përgjithshëm, ka paraqitur para drejtuesve qendrorë dhe drejtuesve të drejtorive vendore, të cilët e kanë ndjekur takimin online, programin e trajnimit me të gjitha detyrat specifike për të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit që do të jenë të ngarkuar për sigurimin e një mjedisi të sigurt dhe të qetë para, gjatë dhe pas procesit zgjedhor, duke bashkëpunuar me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, agjencitë ligjzbatuese dhe partnerët ndërkombëtarë.

Duke theksuar se Policia ka një rol mjaft të rëndësishëm në këtë proces, Veliu është shprehur: “Besimi i qytetarëve dhe i organizatave ndërkombëtare që monitorojnë zgjedhjet, në integritetin e Policisë së Shtetit të arritur në zgjedhjet e mëparshme janë garanci për ushtrimin e të drejtës themelore për të votuar dhe inkurajim e mbështetje për Policinë e Shtetit, për më shumë profesionalizëm në funksion të zbatimit të ligjit dhe vetëm të ligjit.

Në zbatim të përgjegjësive që ligji dhe Kodi Zgjedhor na ngarkon për procesin zgjedhor dhe në parimin e shtetit të së drejtës se “Askush nuk mund të dalë mbi ligjin”, çdo punonjës i Policisë së Shtetit, në çdo rast, gjatë kryerjes së detyrës duhet të manifestojë standardet më të larta profesionale, etike dhe integritet në zbatimin me përpikëri të ligjit”.

Kreu i Prezencës së OSBE-së Del Monaco: “Si kreu i ri i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, jam i kënaqur të nxis mbështetjen e vazhdueshme që Prezenca e OSBE-së në Shqipëri i ofron institucioneve shqiptare për të organizuar dhe administruar zgjedhjet në përputhje me praktikat e njohura ndërkombëtare, ndërsa reflektojmë mbi rekomandimet e OSBE/ODIHR-it. Siç më informuan kolegët e mi, ky trajnim mbi administratën zgjedhore vit pas viti, ka qenë i suksesshëm. Unë ju inkurajoj ta shfrytëzoni dhe zbatoni në praktikë.

Jam i kënaqur të shoh që Departamenti ynë i Bashkëpunimit për Çeshtjet e Sigurisë po koordinon me Policinë e Shtetit për të përgatitur dosjet me materialet e trajnimit për secilin pjesëmarrës, si dhe mbështetjen që jep Prezenca e OSBE-së në Shqipëri për botimin e librit të xhepit për rolin dhe detyrat e policisë gjatë procesit zgjedhor.

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri do të vazhdojë të jetë një partner strategjik i Policisë së Shtetit, në kuadër të një bashkëpunimi të frytshëm dhe afat gjatë me Ministrinë e Brendshme. Partner për këtë trajnim zgjedhor dhe partner në ofrim të ndihmës dhe mbështetjes teknike, veçanërisht në luftën kundër krimit ndërkufitar dhe kërcënimeve trans-nacionale”.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve zoti Celibashi: “Komisioni Qendror i Zgjedhje dhe Policia e Shtetit janë dy organizata të pavarura që do të kenë një rol shumë të rëndësishëm në administrimin e procesit zgjedhor. Ne duhet të sigurojnë një pjesëmarrje të barabartë në procesin zgjedhor, për të gjithë qytetarët, duke u treguar sa më transparentë. Punonjësit e Policisë duhet të tregohen të paanshëm dhe profesionalë në detyrën e tyre”.

Zv/Prokurori i Përgjithshëm zoti Jano: “Strukturat e Prokurorisë së Përgjithshme do të punojnë në mënyrë të vazhdueshme, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe për evidentimin e të gjitha raste kur do të cenohet ky proces. Ne do të punojmë për plotësimin e të gjitha detyrimeve që na takojnë, me qëllim që të rrisim besimin e qytetarëve, të cilët për çdo rast të shkeljes së ligjit, mund të drejtohen në institucionet përgjegjëse”.

Në përfundim të pjesës së parë të trajnimit, Drejtori Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka falënderuar Kreun e OSBE-së në Tiranë, Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve, zv/Prokurorin Përgjithshëm dhe pjesëmarrësit në takimin online, për bashkëpunimin e tyre, si dhe ka siguruar qytetarët se Policia e Shtetit është e orientuar dhe e fokusuar vetëm në zbatimin korrekt të ligjit dhe vetëm të ligjit.

FOTO GALERI
1/20

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA