Nënkryetari i Këshillit Kombëtar të Integrimit, Taulant Balla gjatë mbledhjes së mbajtur ditën e sotme tha se në vijimin e reformave do t’i jepet përparësi Reformës në drejtësi.
Ai gjithashtu thekson se Kuvendi duhet të marrë rolin që i takon si kontrollues dhe monitoruesit të institucioneve të tjera për përmbushjen e detyrimeve .
Fjala e Taulant Ballës:
Më lejoni ta nis fjalën time në këtë mbledhje të parë të KKIE për 2021 me një falënderim për të gjitha institucionet e përfshira në Planin e masave për punën e tyre në përmbushjen e përparësive të përcaktuara nga Këshilli i Bashkimit Europian. Siç mund të evidentohet qartazi edhe nga informacioni që do të prezantojë vetë Kryenegociatori është bërë një punë e rëndësishme për të plotësuar çdo përparësi të lënë nga Këshilli, pavarësisht shtyrjes për mbajtjen e Konferencës së Parë ndërqeveritare e cila për fat të keq ndodhi për arsye që shkojnë përtej nesh. Megjithatë dua të theksoj se pavarësisht shtyrjes që po i bëhet në vazhdimësi këtij procesi, ne jemi plotësisht të përkushtuar ndaj reformave, jo sepse BE po i kërkon ato, por sepse ua kemi borxh qytetarëve tanë të cilët në totalitetin e tyre, rreth 98%, mbështesin proceset integruese të vendit. Madje pjesa dërrmuese e qytetarëve shqiptarë janë të bindur që reformat e ndërmarra në kuadër të procesit të integrimit janë të duhura dhe për të mirën e vendit. Për këtë qëllim nuk ka dhe nuk do të ketë tërheqje pas në rrugën e reformave ku Reforma në drejtësi do të vijojë të mbetet prioritet. Në lidhje me kryereformën, jam krenar të nënvizoj faktin se Kuvendi i Shqipërisë në zbatim të detyrimit Kushtetues të përcaktuar në nenin 125 të Kushtetutës, në seancën e datës 17.12.2020, votoi dhe zgjodhi anëtarin e 3-të të Gjykatës Kushtetuese duke mundësuar sigurimin e kuorumit të nevojshëm dhe me padyshim plotësimin e një kriteri të lënë për mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare. Edhe Reforma zgjedhore gjithashtu nuk mund të qëndrojë jashtë vëmendjes në këtë fjalë të shkurtër. Amendamentet e miratuara të Kodit Zgjedhor në 5 tetor 2020 ashtu siç e theksuam në krye të herës mbi nevojshmërinë e tyre morën edhe çertifikimin e Komisionit të Venecias dhe OSBE/ODIHR. Aspekt i cili zhbën çdo diskutim non sens mbi këtë temë. Me rëndësi janë edhe 7 ligjet që u miratuan në sesionin e kaluar parlamentar me qëllim harmonizimin e legjislacionit në fuqi me ndryshimet e miratuara në Kodin Zgjedhor si:
1. Ligji 146/2020 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.7895, datë 27.1.1995 “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”;
Ligji 147/2020 “Për një ndryshim në ligjin nr. 7905, datë 21.03.1995 “Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Shqipërisë “, i ndryshuar ;
Ligji 150/2020 “Për disa ndryshime në ligjin nr. 60/2016 “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve”;
Ligji 149/2020 “Për një ndryshim në ligjin nr. 9612016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë “, i ndryshuar “;
5. Ligji 135/2020 “Për disa ndryshime në ligjin nr. 8580, datë 17.02.2000 “Për partitë politike”, i ndryshuar” ;
Ligji 148/2020 “ Për disa ndryshime në ligjin nr. 97/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”;
Ligji 133/2020 “Për një ndryshim në ligjin nr.108/2014, “Për policinë e shtetit”,të ndryshuar”;
Të nderuar pjesëmarrës,
Jo pa qëllim ky takim mbi monitorimin e ecurisë në realizimin e përparësive të lëna nga Këshilli i BE-së zhvillohet në Kuvendin e Shqipërisë. Sa here me jepet mundesia ne kete Keshill,do vazhdoj ta nenvizoj faktin se në një moment historik në të cilin ndodhet vendi, Kuvendi duhet të marrë rolin që i takon të kontrolluesit dhe të monitoruesit të institucioneve të tjera për përmbushjen e detyrimeve që burojnë nga procesi i integrimit.
Përpos kësaj, Kuvendi prej vitesh ka shërbyer si urë lidhëse mes aktorëve të përfshirë në procesin e integrimit, dhe KKIE është një shprehje kuptimplotë e këtij roli. Inkurajoj që në këtë fazë sa historike po aq edhe sfiduese edhe delikate për vendin të vazhdojmë zhvillimin e takimeve intensive në kuadër të KKIE apo edhe të Komisionit të Integrimit Evropian qe drejtohet po ashtu nga zonja Hajdari, për të përmbushur detyrimin tonë ligjor në raport me procesin e integrimit. Në lidhje me përparësitë ato do të vazhdojnë të qëndrojnë në krye të axhendës së punës së Qeverisë dhe të Kuvendit ku unë jam përfaqësues në mënyrë që të paktën nga ana jonë të mos ketë pengesa të qenësishme për të ecur përpara në procesin e integrimit Evropian. Duke mos dashur t’i marr kohë të vyer këtij Këshilli, ju falenderoj për vëmendjen tuaj.
Top Channel