Shefi i BE-së kërkon nga Putin që të lirojë opozitarin Navalny

22/01/2021 13:40

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka kërkuar nga presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, të lirojë figurën e opozitës Alexei Navalny.

“Në telefonatën me presidentin Putin sot përsërita se BE-ja është e bashkuar në dënimin e arrestimit të Alexei Navalny-t dhe apelon për lirimin e tij të menjëhershëm”, shkroi Michel në llogarinë e tij në Twitter pas bisedës telefonike me presidentin rus.

Sipas njoftimit të BE-së mbi bisedën telefonike, Michel i tha presidentit rus se BE-ja është e bashkuar në thirrjen ndaj Rusisë për “lirimin e menjëhershëm” të Navalny-t dhe “të vazhdojë me hetimin për atentatin kundër tij në transparencë të plotë dhe pa vonesa të mëtejshme”.

Michel po ashtu informoi presidentin rus për qëllimin e tij për një debat strategjik mbi marrëdhëniet midis BE-së dhe Rusisë në takimin e Këshillit Evropian në muajin mars.

44-vjeçari Navalny, i cili mori trajtim në Gjermani pas dyshimeve për helmim, pas kthimit të tij të dielën në mbrëmje u arrestua në kryeqytetin Moskë.

Navalny, një kritik i ashpër i presidentit Putin, u sëmur në muajin gusht të vitit të kaluar në një fluturim për në Moskë. Pas uljes emergjente në qytetin siberian Omsk, ai kaloi dy ditë në një spital rus para se të dërgohet në Berlin për mjekim.

Pas provave në disa laboratorë, zyrtarët gjermanë thanë se Navalny është helmuar me agjentin nervor Novichak, i cili sipas qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar po ashtu u përdor në një sulm të vitit 2018 në qytetin britanik Salisbury ndaj ish-spiunit rus, Sergei Skripal, dhe vajzës së tij.

Autoritetet ruse mohojnë çdo përfshirje në rast dhe pretendojnë se armët kimike nuk janë zhvilluar dhe prodhuar nga Rusia që kur cikli i fundit kimik u shkatërruar në vitin 2017, siç është verifikuar dhe certifikuar nga Organizata e Ndalimit të Armëve Kimike./AA/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA