Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka votuar propozim-ligjin për regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave në vend, që duhet të mbahet në muajin prill të këtij viti. Me këtë ligj duhet të mundësohet që në Maqedoninë e Veriut të zbatohet regjistrimi pas 19 vitesh.

Në kuadër të vazhdimit të seancës së 29-të me 62 vota “për” dhe pa “të përmbajtur” dhe “kundër”, Kuvendi solli Ligjin për regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave në Maqedoninë e Veriut në vitin 2021. Për regjistrimin votuan edhe 29 deputetë pjesëtarë të bashkësive etnike.

Për Ligjin votuan deputetët e shumicës qeveritare Lidhja Social-demokrate e Maqedonisë (LSDM), Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dhe BESA, si dhe koalicioni opozitar Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa. Opozita e kryesuar nga VMRO-DPMNE nuk mori pjesë në votim. Ata paraprakisht paralajmëruan se do të mbledhin nënshkrime nga qytetarët për shfuqizimin e këtij ligji.

Sipas prononcimeve të mëhershme të opozitës, ata konsiderojnë se nuk është momenti i duhur për regjistrim për shkak të pandemisë dhe parashtruan disa amandamente të cilat u refuzuan. Në mesin e amandamenteve ishte edhe propozimi që gjatë zbatimit të regjistrimit të përdoret edhe pajisja për skanimin e shenjave të gishtërinjve.

Para votimit në disa vërejtje procedurale opozita i potencoi vërejtjet e saj për ligjin dhe arsyet për mosbesim në procesin e regjistrimit.

“Ditët e fundit po licitohet me përqindje dhe me pranim dhe mospranim të rezultateve të regjistrimit, që më jep të drejtë se vërejtjet tona janë të arsyeshme, nënshkrimi i lidhur ka rol. Regjistrimi nga operacioni statistikor kalon në politik. Andaj konstatojmë se zgjidhja e tillë e propozuar ligjore nuk do të jetë objektive dhe korrekte, regjistrimi nuk do të jetë relevant dhe real”, tha deputeti Nikolla Micevski nga VMRO-DPMNE.

Pasi Kuvendi votoi propozim-ligjin për regjistrim, për media u prononcua deputetja e LSDM-së, Zhaklina Llazarevska. Ajo theksoi se me kënaqësi e votuan ligjin dhe se Enti Shtetëror për Statistikë procesin do ta zbatojë në mënyrën më të mirë të mundshme. Ajo shtoi se regjistrimi do të jetë operacion statistikor.

“Me 62 vota ‘për’ dhe asnjë ‘kundër’, ne e votuam dhe konsiderojmë se shtetit, gjegjësisht zbatuesve të regjistrimit, u siguruam kornizë shumë të mirë për zbatimin e një procesi të mirë, të qëndrueshëm statistikor, i cili do të zbatohet në shtetin tonë”, deklaroi Llazarevska.

Regjistrimi do të zbatohet në periudhën prej 1 deri më 21 prill të vitit 2021, me përdorimin e kompjuterit bartës, në aplikacion të veçantë, me ç’rast detyrimisht zbatohen masa teknike dhe organizuese në pajtim me dispozitat nga sfera e mbrojtjes së të dhënave personale.

Regjistrimi i fundit i popullsisë në vend është mbajtur në vitin 2002, sipas të cilit numri i popullatës ishte 2.022.547. Në vitin 2011 filloi të realizohet regjistrimi, por u ndërpre pasi anëtarët e komisionit regjistrues dhanë dorëheqje kolektive dhe të parevokueshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA