Kina vendosi sanksione ndaj zyrtarëve të administratës Trump vetëm disa minuta pasi Joe Biden u betua si presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara, sipas njoftimeve të ministrisë së jashtme kineze.
Ish-Sekretari i Shtetit Mike Pompeo ishte mes 28 personave që ministria tha se “planifikuan, promovuan dhe ekzekutuan një seri lëvizjesh të çmendura që kanë ndërhyrë rëndë në punët e brendshme të Kinës, dëmtuan interesat e Kinës, ofenduan popullin kinez dhe prishën seriozisht marrëdhëniet Kinë-SHBA”.
Kina vendosi sanksione edhe ndaj këshilltarit tregtar të ish-Presidentit Donald Trump, Peter Navarro, ish-Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare Robert O’Brien dhe paraardhësit të tij, John Bolton.
Ministria tha se individëve të sanksionuar dhe familjarëve të tyre të ngushtë “u ndalohet të hyjnë në territorin e Kinës, Hong Kong dhe Makao”. Ajo gjithashtu tha se ata dhe entitetet e lidhura me ta janë të ndaluar të bëjnë biznes me Kinën.
Marrëdhëniet kinezo-amerikane u përkeqësuan ndjeshëm pasi ish-Presidenti Trump filloi luftërat tregtare kundër Pekinit pak pasi hyri në Shtëpinë e Bardhë.
Top Channel