Albin Kurti

Kandidati për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pritet të largohet nga lista e kandidatëve për deputet.

Kjo pasi emri i tij sipas burimeve është në mesin e 47 kandidatëve që sipas Këshillit Gjyqësor të Kosovës kanë dënim të formës së prerë brenda tre vjetëve të fundit dhe bazuar në vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese nuk e kanë të drejtën e kandidimit.

Në një prononcim për Top Channel, Kurti tha se ende nuk ka pranuar shkresë nga KQZ-ja.

Por, ai thotë se institucionet duhet të ndjekin vullnetin e popullit.

Përveç Kurtit, burime të Top Channel kanë bërë me dije se në mesin e 47 kandidatëve të përmendur nga Këshilli Gjyqësor janë edhe Albulena Haxhiu, Liburn Aliu, Labinotë Demi.

Sipas Institutit Demokratik të Kosovës, të gjithë kandidatët për deputet që kanë dënim të formës së prerë, pavarësisht veprës penale, bazuar në legjislacionin aktual duhen larguar nga listat.

Kurti ishte dënuar në vitin 2018 për dy vepra penale: përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm dhe pengim të personit zyrtar në kryerje të detyrës, veprime këto të bëra gjatë hedhjes së gazit lotsjellës brenda Kuvendit të Kosovës më 2015.

Top Channel