Përpunohen mbi 3.8 milionë tonë mallra gjatë vitit të kaluar në portin më të madh detar të vendit.
Gjatë 12-muajve në portin e Durrësit, janë përpunuar rreth 3 milionë e 882 mijë tonë mallra gjithsej.
Sipas të dhënave statistikore të Autoritetit Portual Durrës, vetëm në terminalin perëndimor janë përpunuar 268 anije, me rreth 808 mijë tonë mallra të ndryshme, ose 35 mijë tonë më shumë se sa gjatë vitit 2019-të.
Ndërkohë, në terminalin lindor, gjatë periudhës janar-dhjetor 2020-të, u përpunuan 153 anije me 733 mijë tonë, kryesisht mallra rifuxho. Edhe këtu ka pasur rritje krahasuar me vitin 2019-të, afro 77 mijë tonë mallra më shumë.
Rënie ka pasur në përpunimin e konteinerëve dhe udhëtarëve. Të dhënat bëjnë me dije se shifrat e mallrave të përpunuar kanë pësuar rënie në terminalin e konteinerëve dhe në atë të trageteve, krahasuar me vitin paraardhës. Masat kufizuese në vendet e BE-së, për shkak të pandemisë Covid-19, kanë patur ndikim në transportin detar në Mesdhe, duke shënuar rënie të numrit të pasagjerëve dhe të volumit të mallrave të përpunuara përmes konteinerëve.
Top Channel