Jo të gjithë mësimdhënësit në vend po pajtohen me paralajmërimet e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, që të pezullohet mësimi nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen.

Kjo sindikatë i ka dhënë ultimatum Qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit që brenda kësaj jave të vendos për ndarjen e buxhetit për pagën shtesë për punën e mësimdhënësve në pandemi, si dhe hyrjen në fuqi të kontratës kolektive.

Por, mësimdhënësja e klasës së pestë, Syzana Ibrahimi në shkollën “Ismail Qemali” në Prishtinë thotë se këto kërkesa janë të bazuara, por asnjëherë nuk duhen arritur duke sakrifikuar nxënësit.

Drejtuesit e sindikatës nuk kanë ndërmend të tërhiqen nga kërkesat e tyre dhe nga paralajmërimi për grevë.

Madje për arritjen e këtij synimi kryetari i sindikatës, Rrahman Jasharaj thotë se kanë filluar me mbledhjen e nënshkrimeve. Nga ana tjetër, institucionet ende nuk kanë reaguar ndaj këtyre paralajmërimeve.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk i është përgjigjur kërkesës së Top Channel se çfarë zgjidhje do të gjejnë për të parandaluar ndërprerjen e mësimit.

Deri më tani nga 23 mijë mësimdhënës, mbi 4 mijë janë infektuar me Covid 19. Gjatë kësaj kohe, mësimi është zhvilluar sipas tri varianteve bazuara në numrin e të infektuarve.

Top Channel