Bashkia e Kamzës, pas tërmetit të nëntorit që rrënoi ngrehinat e vjetra jashtë çdo standardi, sot po i kthehet një normaliteti të ri me shkolla të reja, kopshte dhe godina banimi konform standardeve europiane. Një nga mjediset e edukimit të ringritura në kohë rekord pas shkatërrimit në 26 nëntor është kopshti dhe shkolla “Halit Çoka”.

Sot, Kryeministri Rama, i shoqëruar nga kryebashkiaku i Kamzës, Rakip Suli dhe ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj ishin fillimisht në ambientet e kopshtit të përfunduar, i cili akomodon 220 fëmijë aktualisht.

“Ka përfunduar i gjithë kopshti me një sipërfaqe prej 2700 metra katrorë, disa herë më i madh se sa ishte. Cilësia normalisht nuk ka krahasim. Në katin e parë janë 4 klasa dhe në katin e dytë po 4 klasa. Kemi dhe dy ambiente të brendshme për të luajtur fëmijët. Ka edhe kuzhinën për gatim e kështu do jetë i pari kopsht në njësinë e Paskuqanit me drekë”, – shprehet kryetari i Bashkisë së Kamzës.

Ministri Ahmetaj thekson faktin se ky kopsht është “ndërtuar në kohë rekord, në 3 muaj e pak ditë”. Falë këtij investimi nga Programi i Rindërtimit, kërkesa për të regjistruar fëmijët në këtë institucion edukimi pritet të trefishohet, ndërkohë që Kamza është një nga bashkitë që ka përfituar konsiderueshëm ambiente shkollore dhe parashkollore. “Ndërkohë sapo hapim një parti të re prej 7 shkolla dhe kopshte të tjera që financohen nga buxheti i shtetit”, – thotë ministri Ahmetaj.

Teksa pa nga afër punimet në kopsht, Kryeministri nënvizon nevojën për sistemimin edhe të sheshit para shkollës. “Që të mos i lëmë “revolucionit” asnjë presje, ky sheshi është mirë të sistemohet.”, – shprehet Kryeministri.

Në Bashkinë Kamëz janë 14 shkolla e kopshte të reja, që po marrin jetë nga themelet e që do t’ia ndryshojnë përgjithmonë cilësinë e arsimit në këtë zonë. “Këtu në Kamëz do ndërtohen 21 pallate, mbi 300 njësi individuale dhe numri i shkollave në kombinim nga buxheti i shtetit dhe nga donatorët shkon në 14 shkolla vetëm më Kamëz. Është ajo që unë them në vazhdimësi që me procesin e rindërtimit kemi ndërtuar më shumë shkolla sesa janë ndërtuar në gjithë Shqipërinë në 30 vite. Hap pas hapi inspektojmë, por ndërkohë, jo më larg se 10 muaj në fakt dhe gjithë skeptikët nuk e besonin që do vinim në këtë ditë. Thonin 3D atje, 3D këtu. Realisht, unë i kam ftuar dhe gazetarët, edhe ata që nuk besonin, se në 30 vite kanë parë premtime të rrëzuara në tokë, por sot janë të gjitha realitet.”, – nënvizon ministri Ahmetaj.

Inspektimi, pas ambienteve për më të vegjlit, vijoi në shkollën me po të njëjtin emër, e cila tashmë nuk ka të krahasuar me atë që ishte para tërmetit. “Shkolla është 6000 metra katrorë dhe e ndërtuar në kohë rekord. 28 klasa mësimore, 6 ambiente për laboratorë dhe ambiente sportive”, – thotë kryetar i Bashkisë Kamëz.

Godina e re arsimore, në përfundim të saj do të akomodojë rreth 1060 nxënës ndërkohë që, sipas ministrit Ahmetaj, “kjo është një nga 4-5 shkollat më të mëdha që kemi ndërtuar nga Programi i Rindërtimit”.

Kryeministri Rama vlerëson punën e bërë në këtë kantier. “Respekte, punë e shkëlqyer dhe bravo!”, – përgëzon Kryeministri të gjithë ata të përfshirë në këtë proces.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA