2020 ka rezultuar një vit i mbrapshtë për eksportet shqiptare, pasi pandemia ka fshirë pothuajse 219 milionë euro për shkak të masave bllokuese dhe ndikimit që pati te grupet eksportuese.
Të dhënat e Instat raportojnë se vitin e kaluar eksportet e mallrave arritën në 272 miliardë lekë apo rreth 27 miliardë lekë më pas se në vitin 2019.
Megjithatë, në dhjetor produktet “Made in Albania” që u dërguan jashtë kufijve arritën pësuan një rritje të lehtë prej 5.4% duke arritur në 23 miliardë lekë.
Sektori që është afektuar më shumë nga pandemia vitin e kaluar është industria fason, humbjet e të cilës përllogariten në rreth 130 milionë euro oër 2020-ën.
Vendosja e masave bllokuese në vendet partnere penalizoi fort tekstilet dhe këpucët, që u detyruan të diversifikojnë prodhimin për t’iu përshtatur nevojave të pandemisë me maska e veshje njëpërdorimshme.
Në tkurrje të fortë e kanë mbyllur vitin edhe eksportet e mineraleve, lëndëve djegëse e energjisë elektrike me rreth 20.6% më pak se në 2019, duke humbur përgjatë 12 mujorit rreth 83.5 milionë euro.
Pavarësisht perfomancës pozitive në dhjetor, eksportet e metaleve dhe materialeve të ndërtimit po ashtu shënuan rënie të ndjeshme gjatë 202-ës.
Ndërsa grupi i vetëm që i ka rezistuar pandemisë është ai i ushqimeve, pijeve e duhanit që ka ndjekur një trend pozitiv gjatë gjithë vitit pavarësisht situatës së krijuar, eksportet e të cilit janë rritur me rreth 10.4%.
Paralelisht, rënie kanë pësuar edhe mallrat e importuar vitin e kaluar me 6.8%, ndikuar kryesisht nga ulja vjetore e importeve të mineraleve, lëndëve djegëse e energjisë elektrike.
Ndërsa deficit tregtar arriti në 333 miliardë lekë, duke u ulur me rreth 4.9% krahasuar me vitin 2019.
Top Channel