Ndërsa Kosova përgatitet të dalë në votime në ditën e të dashuruarve, 14 shkurt, partitë politike dorëzuan të shtunën listat zyrtare të kandidatëve për deputetë, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, në respektim të afatit të paracaktuar. Dhe këto lista, tregojnë shumë surpriza.

Zyrtarisht në garë për kryeministër të ardhshëm të vendit, shihen si favoritë, Enver Hoxhaj nga PDK, Albin Kurti nga LVV dhe Avdullah Hoti nga LDK. Ky i fundit, kryeson listën e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku shihet se mungon emri i kryetarit të partisë, Isa Mustafa ndërkohë që kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli, renditet i pesti në radhë.

Ndërsa lista e Lëvizjes Vetëvendosje, me 110 emra, kryesohet nga Albin Kurti dhe Vjosa Osmani. Ndërkohë që bie në sy prania në këtë listë edhe e Donika Gërvallës, vajza e Jusuf Gërvallës, që u largua nga LDK pas 27 vitesh duke iu bashkuar nismës së Vjosa Osmanit si edhe Avni Dehari, babai i aktivistit të Vetëvendosje-s, Astrit Dehari, që humbi jetën ndërsa ishte i paraburgosur në burgun e Prizrenit.

Në këto zgjedhje LVV  do të garojë me 41 femra, kandidate për deputete, mes të cilave edhe Vasfije Krasniqi,  gruaja e parë, e cila foli publikisht për tmerrin e përjetuar gjatë luftës së fundit në Kosovë

Lista e PDK-së kryesohet nga Enver Hoxhaj, dhe në pesëshen e parë janë edhe emrat e Uran Ismailit, Eliza Hoxhës, Bedri Hamzës e Memli Krasniqit. Një ish-deputet në Maqedoninë e Veriut, Ruzhdi Matoshi, i është bashkuar ndërkohë Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, lista e së cilës kryesohet nga Ramush Haradinaj.

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, do të marrin pjesë 21 parti politike, dy koalicione parazgjedhore dhe pesë nisma qytetare. Numri i përgjithshëm i kandidatëve në këto zgjedhje, sipas KQZ-së është 1079.

Deri më 18 janar, KQZ do të dërgojë për verifikim në gjashtë institucione, listat e kandidatëve për deputetë, që më pas do të certifikohen.

Top Channel