Presidenti i zgjedhur Joe Biden emëroi të shtunën veteranen e politikës së jashtme amerikane Wendy Sherman, negociatorja kryesore e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 me Iranin, për postin e Zëvendës Sekretares së Shtetit.
Zoti Biden emëroi gjithashtu zonjën Victoria Nuland, e cila ka shërbyer si diplomate e lartë amerikane për Evropën, ambasadore në NATO dhe zëdhënëse e Departamentit të Shtetit, si Nënsekretare e Shtetit për çështjet politike.
Zonja Sherman, ka qenë këshilltare e Departamentit të Shtetit nga viti 1997 deri në vitin 2001, kur ajo ka qenë gjithashtu koordinatore e politikave për Korenë e Veriut. Nga 1993 në 1996 ajo ka qenë ndihmës sekretare e Shtetit për çështjet legjislative.
Zonja Sherman aktualisht është profesore në Shkollën John F. Kennedy për Qeverisjen të Universitetit Harvard dhe këshilltare e lartë në Grupin Albright Stonebridge, një firmë e strategjisë dhe diplomacisë komerciale.
Zonja Nuland, ish-ndihmës sekretare e Shtetit për çështjet evropiane, ka qenë zëvendës këshilltare për sigurinë kombëtare e Nënpresidentit Dick Cheney nga viti 2003 deri në vitin 2005 dhe shefe stafi e zëvendës sekretarit të Shtetit nga viti 1993 në 1996.
Zoti Biden gjithashtu emëroi një nga këshilltarët e tij të vjetër të politikës së jashtme, Brian McKeon, si Zëvendës Sekretar i Shtetit për Menaxhimin dhe Burimet.
Ai emëroi gjithashtu Bonnie Jenkins në postin e zv/sekretarit për Kontrollin e Armëve dhe Çështjet Ndërkombëtare të Sigurisë. Gjithashtu Uzra Zeya u emërua të jetë zv/sekretare për Sigurinë Civile, Demokracinë dhe të Drejtat e Njeriut.
Komisioni i Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë do të mbajë një seancë konfirmimi të martën për Antony Blinken, i emëruar nga zoti Biden për të shërbyer si Sekretar i Shtetit. Nëse konfirmohen, të emëruarit e shpallur të shtunën do të shërbejnë nën drejtimin e zotit Blinken./VOA/
Top Channel