Rusia ka nisur procedurën e tërheqjes nga Traktati ndërkombëtar Qiejt e Hapur, një marrëveshje kjo e cila lejon fluturime për mbikëqyrje ajrore mbi dhjetëra shtete pjesëmarrëse.
Ministria e Jashtme ruse tha se tërheqja e SHBA-së prej këtij traktati vitin e kaluar “e ka prishur ndjeshëm balancën e interesave të shteteve firmëtare” dhe se propozimet e Moskës për ta mbajtur gjallë marrëveshjen janë injoruar nga aleatët në Uashington.
“Duke pasur parasysh mungesën e përparimit në përpjekjet për t’i hequr pengesat që parandalojnë funksionimin e Traktatit në situatën e re, Ministria e Jashtme ruse ka të drejtë të njoftojë fillimin e procedurave të brendshme për tërheqje nga Traktati për Qiejt e Hapur”, thuhet në deklaratën e saj.
Shtetet e Bashkuara u tërhoqën nga traktati në 22 nëntor, duke cituar pikërisht ato që i konsideronin si shkelje flagrante nga ana e Rusisë. Moska asokohe e dënoi lëvizjen e Washingtonit si të dëmshme për sigurinë e Europës, Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj. Traktati i Qiejve të Hapur u nënshkrua në vitin 1992 dhe hyri në fuqi në 2002-shin, duke lejuar 34 anëtarët e tij të kryejnë fluturime të paarmatosura vëzhguese mbi territoret e njëri-tjetrit, për të mbledhur të dhëna për forcat ushtarake dhe aktivitetet. Ithtarët e ujdisë thonë se fluturimet ndihmojnë në krijimin e besimit mes vendeve, pas dëshmojnë mes të tjerash se kundërshtarët nuk po vendosin forca fshehurazi ose nuk po përgatiten të fillojnë sulme.
Top Channel