Presidenti i vendit, Ilir Meta ishte pjesë e një paneli me profesorë dhe ekspertë ku u diskutua fenomeni i shpopullimit ditën e sotme.
Ai listoi arsyet që stimulojnë fenomenin e shpopullimit të vendit duke nisur që nga pagat e ulëta, mungesa e mbështetjes së arsimimit cilësor të të rinjve apo mbështetja e biznesit.
“Disa nga arsyet që e stimulojnë fenomenin e shpopullimit janë: Mos rritja e qëndrueshme e pagave dhe pensioneve, por thjesht indeksimi i tyre,e kanë bërë të vështirë koston e jetesës për shumë familje në vend. Mungesa e mbështetjes së arsimimit cilësor të të rinjve. Mungesa e mbështetjes së duhur të biznesit”, tha presidenti.
Presidenti tha se situata në vendin tonë është përkeqësuar ndjeshëm e sidomos gjatë periudhës së pandemisë, ku sipas tij biznesi nuk po mbështetet.
“Situata në vendin tonë është përkeqësuar ndjeshëm sidomos sa i përket mungesës së mbështetjes së biznesit, për të përballuar kostot shtesë të pandemisë. Sipas Bankës së Shqipërisë të paktën 50 mijë qytetarë kanë humbur vendet e tyre të punës gjatë pandemisë. Mungesa e mbështetjes për këto biznese padyshim që është një kërcënim serioz për t’i shtuar edhe më tej ritmet e emigrimit. Sistemi i llogaridhënies demokratike nuk funksionon. Eficenca e përdorimit të parave publike është e dyshimtë, e pakontrolluar dhe larg llogaridhënies. Kjo është e lidhur me standardet e qeverisjes që duhet të përmirësohen në mënyrë drastike”, tha Meta.
Top Channel