Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha sot se kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi duhet të paditet në Prokurori për shpifjet lidhur me rindërtimin e shkollës “Sami Frashëri”.
Gjatë një bashkëbisedimi me banorë të Njësisë 9, Veliaj shtoi se fëmijët e tyre i çojnë me studime jashtë vendit, kurse për fëmijët që studiojnë në Shqipëri, jo vetëm që nuk bënë asnjë shkollë kur drejtonin qytetin, por dalin edhe kundër shkollave të reja.
“Fëmijët e tyre i kanë në Angli dhe Hollandë. Për çfarë iu duhen shkollat këtyre?! Ngritën gjithë atë histeri për shkollën “Sami Frashëri”! Monika duhet çuar në Prokurori për shpifje. “Do e ndërtojnë në Paskuqan” – tha, por Paskuqani është në bashkinë tjetër. Mirë që s’dinë të punojnë, mirë që janë të paaftë, që s’kanë bërë një shkollë në Tiranë edhe kur e qeverisnin bashkë. Kam kaq kohë që i sfidoj: Më thoni një shkollë që keni ndërtuar, por nuk kanë bërë asnjë,” u shpreh Veliaj.
Ai shtoi se vërtet s’kanë ndërtuar shkolla, por ama në kohë pandemie i shtuan vilat e tyre.
“Falë punës tonë, dhe jo gjumit, edhe vilave të tyre iu është rritur vlera, se Tirana tani është e pastër, e investuar dhe e rregullt”, tha Veliaj.
Top Channel