Qindra hektarë tokë ende nën ujë, Bashkia e Shkodrës shpërndan pako ushqimore për familjet në nevojë

13/01/2021 13:20

Pas disa ditësh reshje shiu dy ditët e fundit kanë sjellë përmirësim të kushteve atmosferike në disa zona të vendit. Në disa prej qyteteve nuk raportohet për problematika të shkaktuara nga reshjet.

Ndërsa në një prej qyteteve më të goditura, pas monitorimeve periodike në terren, bashkia e Shkodrës njofton se vazhdon të jetë e bllokuar rruga për në Obot për mjetet e ulëta. Niveli i ujit mbi rrugë arrin mbi 80 cm.

Gjithashtu, ujësjellësi Oblika 1 si pasojë e përmbytjeve është jashtë funksionit. Kështu, UKSH ka furnizuar me ujë te pijshëm banore të fshatit Oblikë.

Sipërfaqja e tokës bujqësore e përmbytur vlerësohet në 960 Ha, kryesisht në fshatrat Obot, Muriqan dhe Oblikë.

Për shkak të rritjes së nivelit të ujit është bllokuar segmenti në vendin e quajtur Urrelat që lidh fshatrat Shirq me Darragjat.

Po ashtu, vazhdon gërryerja e tokës bujqësore nga lumi Drin në vendin e quajtur Mali i Vukatanit, fshati Ganjollë, si dhe nga lumi Kir në vendin e quajtur Bardhaj, fshati Bardhaj.

Bashkia njofton gjithashtu ka rritje të nivelit të ujit nga Liqeni i Shkodrës, në zonën e Livadeve dhe Dobraç.

Për familjet në nevojë ka ardhur në ndihmë Bashkia e Shkodrës e cila njofton se ka shpërndarë disa pako ushqimore ndërsa janë gati dhe 300 pako të tjera të magazinuara tek ndërtesa e konviktit Shkolla Industriale ‘Arben Broci’.

RAPORTI PER EMERGJENCAT DATE 13.01.2021 ORA 11.30

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA