Zonja e Parë Melania Trump ka thënë së fundmi se është “e zhgënjyer” nga sulmuesit që bastisën Kongresin amerikan, por vuri theksin në sulmet “e paprovokuara personale” që janë bërë kundër saj.
Melania bëri komentet e para që prej sulmit të paprecedentë të mbështetesve të presidentit ndaj Kongresit amerikan mbrëmjen e 6 janarit.
Dhuna shkaktoi shtyrjen e konfirmimit të votave elektorale të presidentit të zgjedhur Joe Biden ndërsa pesë persona u vranë gjatë trazirave.
“Jam e zhgënjyer dhe e zemëruar nga ajo që ndodhi javën e shkuar,” shkroi Melania Trump në komentet e Shtëpisë së Bardhë.
“Por gjithashtu mendoj se këto ngjarje tragjike janë rrethuar nga thashetheme dashakeqe, sulme personale të paprovokuara dhe akuza të rreme ndaj meje, nga njerëz që kërkojnë t’i japin rëndësi vetes dhe kanë axhenda të tjera”, tha Melania Trump pa cilësuar se kujt po i referohej.
Zhvillimet vijnë pas librit sensacional të ish-mikeshës së Zonjës së Parë, Stephanie Winston Wolkoff, e cila ka vijuar me akuza ndaj Melania edhe në faqet e gazetave. Pjese te librit po publikohen gjeresisht ne mediat amerikane.
Miqësia e tyre kishte marrë fund kur Wolkoff, e cila kishte punuar në ceremoninë e inaugurimit të presidentit Trump në janar 2017, tha se Zonja e Parë nuk e kishte mbrojtur nga akuzat e shpenzimeve të fushatës dhe inaugurimit.
Melania Trump shkruante dje: “Kjo është një kohë për të shëruar vendin dhe qytetarët tanë, jo për t’u përdorur për fitime personale.”
Zonja e Parë shtonte: “Kombi ynë duhet të shërohet në mënyrë të civilizuar. Por mos u gaboni, unë absolutisht e dënoj dhunën që ndodhi në Kongresin e vendit. Dhuna nuk është kurrë e pranueshme”.
Top Channel