Negociatat e ngecura në vendnumëro prej 4 vitesh, tashmë marrin një shtysë të re.
Ministria e Jashtme greke, e cituar nga gazeta Kathimerini, ka njoftuar se bisedimet do të rinisin në 25 janar, duke përcaktuar kështu një datë të saktë vetëm pak pasi vetë kryeministri Kyriakos Mitsotakis e kishte përmendur diçka të tillë.
E njëjta media pretendon se është caktuar tashmë edhe vendi ku do të zhvillohen për herë të 61-të bisedimet: palët do të mblidhen në Stamboll, thotë Kathimerini, që citon burime diplomatike për pohimin e saj se pala turke kishte komunikuar zyrtarisht me Athinën duke i kërkuar rikthimin në tryezën e bisedimeve. Por ndërkohë, raporte të tjera pretendojnë se vendi i takimit mund të jetë edhe Tirana ose ishulli i Kretës. Raundi i 60-të dhe i fundit deri më tani i bisedimeve eksploruese mes dy vendeve, të cilat kanë nisur në vitin 2002, u mbajt në Athinë marsin e 2016-tës. Pas kësaj, negociatat vazhduan në formën e konsultimeve politike, por nuk iu kthyen kornizës së eksplorimeve.
Çështja e të drejtave energjetike dhe kufijve detarë me shumë gjasë do të jenë tema mbizotëruese e këtij raundi. Turqia, me vijën më të gjatë bregdetare në Mesdheun Lindor, nuk i pranon pretendimet greke dhe ato të administratës greko-qipriote të kufijve detarë në rajon, me pretendimin se ato përbëjnë shkelje të të drejtave të Turqisë dhe Qipros Veriore.
Ankaraja dërgoi vitin e kaluar një sërë anijesh eksploruese, por kjo bëri të shpërthenin tensionet me Greqinë, në krahun e të cilës u rreshtuan një sërë vendesh evropiane, ndërsa BE-ja u përpoq vazhdimisht të zbuste krizën, me qëllimin që ajo të mos përshkallëzohej deri në një konflikt ushtarak.
Top Channel