Disa qindra të dyshuar si anëtarë të grupit më të fuqishëm mafioz në Itali do të dalin në gjyq të mërkurën, me një sallë të posaçme, që po përdoret për mega-gjyqin më të madh të tre dekadave në vend.
Procesi kundër ‘Sindikatës së krimit Ndrangheta” dhe bashkëpunëtorëve të saj – ku përfshihen politikane, punonjës administrate, policë e biznesmenë – pritet të zgjasë më shumë se dy vjet.
Totali i pjesëmarësve përbëhet prej 355 të akuzuarish, 900 dëshmitarë të akuzës dhe 400 avokatë, si dhe 58 ‘dëshmitarë shtetërorë’ të gatshëm të thyejnë atë që njihet si ‘omerta’ – kodi mafioz i heshtjes.
Super-gjyqi do të mbahet në një ndërtesë të përshtatur në zemër të territorit të Ndrangheta-s, Kalabri, dhe nis të mërkurën me familjen Mancuso dhe bashkëpunëtorët e saj.
Autoriteteve iu deshën rreth 3 vjet për të mbledhur bashkë emrat e të akuzuarve, ku kreu mafioz Luigi Mancuso i njohur si ‘Xhaxhai’, është mes shumë emrave famëkeq si ‘Ujku’, ‘I Shëndoshi’, ‘I Ëmbli’, ‘Bjondi’, ‘Dhia e Vogël’ apo ‘Përdredhësi’.
Shteti italian besohet se po bën një shfaqje force me mbajtjen e gjyqit masiv në zemër të territorit të Ndrangheta, organizata që ka kontrolluar dhjetra ton kokainë që hynin në Evropë.
Krye-akuzuesi i bandës do të jetë prokurori i famshëm italian anti-mafia, Nicola Gratteri.
62 vjeçari Gratteri, jeton prej 30 vjetësh nën mbrojtjen e policisë, por kur ishte i vogël luante futboll me shumë nga ata që tashmë ka burgosur.
Ai është zotuar të bëjë “asfiksimin e Ndrangheta”, që sipas tij i merr frymën dhe rrahjet e zemrës popullit.
Super-gjyqi tjetër i famshëm në Itali u bë në vitet 1986-87 në Palermo kundër klanit mafioz siçilian, Cosa Nostra.
Në të u dënuan 338 njerëz, dhe më vonë prokurorët fatkeqë Giovanni Falcone e Paolo Borsellino u vranë në një atentat me bombë.
Federico Varese, profesor kriminologjie në Universitetin e Oxford tha: “Kjo kërkon të tregojë me forcë se ka një shoqëri edhe jashtë organizatave kriminale. Është shokuese që një grup kriminal të jetë kaq i rrënjosur në territor, aq sa duhen nxjerrë në gjyq qindra njerëz”.
Mes të akuzarve është ish parlamentari Giancarlo Pittelli, avokat i njohur mbrojtjeje, Freemason dhe ish-senator i partisë Forza Italia.
Ai mohon se ka qenë ndërmjetës mes mafias, politikës, bankave e institucioneve të tjera të fuqishme.
Shumica e të kapurve akuzohen për lidhje mafioze, vrasje, tentativë vrasjeje, trafik droge, zhvatje, shpërndarje informacionesh sekrete, abuzim me detyrën e pastrim parash.
Top Channel