SHBA/ Ekipi i tranzicionit premton shpërndarje më të shpejtë vaksinash

10/01/2021 04:24

Ekipi i tranzicionit i Presidentit të Zgjedhur, Joe Biden tha të premten se administrata e ardhshme do të veprojë më me shpejtësi për të shpërndarë vaksinat kundër koronavirusit, sapo të vijë në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar.

Zyra e zotit Biden tha se do të eliminojë praktikën që po ndjek administrata e Presidentit Trump për të shtuar inventarin me vaksina për të garantuar që ka sasi të mjaftueshme që njerëzit të marrin dozën e dytë disa javë pasi kanë bërë dozën e parë. Kur vaksina u miratua muajin e kaluar, u zgjuan shpresa të mëdha për fushatën e imunizimit, por fushata është zhvilluar deri tani me ritme të ngadalta. Vetëm 5.9 milionë nga 29.4 milionë doza të shpërndara janë aplikuar në SHBA, sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

Eksperti i sëmundjeve ngjitëse, Dr. Anthony Fauci tha për National Public Radio në një intervistë të enjten se beson që “gjërat do të keqësohen gjatë janarit”. Kjo për rrjedhojë të sezonit të festave dhe grumbullimeve që janë zhvilluar gjatë kësaj periudhe, tha ai. Dr. Fauci po ashtu tha se beson që kjo prirje mund të ngadalësohet nëse merren masa për të penguar shtimin e rasteve. “Nëse shtojmë masat e shëndetit publik gjatë kësaj periudhe, do ta zbusim rritjen e ritmeve të infeksionit. Kjo kërkon që njerëzit të jenë shumë, shumë të përqëndruaar dhe të bëjnë atë që kemi diskutuar prej kohësh si vënien e maskës, distancimin fizik dhe vaksinimin kundër sëmundjes”, tha eksperti.

Dr. Fauci tha se shpreson se kur zoti Biden të marrë detyrën, Shtetet e Bashkuara do të jetë në gjendje të bëjnë “1 milion vaksinime në ditë, siç e ka thënë presidenti i zgjedhur”. Punonjësit e shërbimeve shëndetësore dhe shkencëtarë të tjerë shprehën shqetësim se sulmi ndaj Kapitolit të mërkurën mund të ketë shërbyer si super-përhapës i virusit. Protestuesit që brohorisnin gjatë futjes në ndërtesën e Kapitolit ishin përgjithësisht pa maska dhe nuk po respektonin distancimin fizik.

Anne Rimoin, epidemiologe në Universitetin e Kalifornisë tha për New York Times se “Njerëzit thërrisnin, brohorisnin; të gjitha gjëra që ndihmojnë përhapjen e virusit”. Qendra e të Dhënave për Koronavirusin në Universitetin Johns Hopkins tha të enjten në mbrëmje se koronavirusi kishte shkaktuar të enjten 4’085 viktima.

Shtetet e Bashkuara kanë numrin më të lartë të rasteve të identifikuara me koronavirus krahasuar me çdo vend tjetër në botë: 21.8 milionë nga 88 milionë raste në shkallë globale, ose afro 1/4 e të gjitha rasteve të identifikuara në shkallë botërore. Shtetet e Bashkuara kanë gjithashtu numrin më të madh të viktimave se çdo vend tjetër: mbi 368’000 nga thuajse 2 milionë të vdekur në shkallë botërore./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA