Demokratët përshpejtojnë përpjekjet për shkarkimin e Presidentit Trump

10/01/2021 02:20

Demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve do të paraqesin të hënën legjislacionin nëpëmjet të cilit do të kërkohet ngritja zyrtarisht e akuzave për shkarkimin e Presidentit Donald Trump, tha të shtunën ligjvënësi Ted Lieu.

Në një postim në Twitter, zoti Lieu, i cili ishte një pjesëmarrës aktiv në procesin për shkarkimin e zotit Trump në dhjetor 2019, proces që përfundimisht dështoi në Senat, tha se tashmë janë 180 anëtarë të Kongresit që e mbështesin këtë iniciativë për ngritjen e një akuze të re për shkarkimin e zotit Trump lidhur me trazirat në Kapitol.

Demokratët në Kongres po kërkojnë veprime të vendosura, të menjëhershme për të siguruar siç thonë ata që zoti Trump të mos shkaktojë të tjera dëme. Kur kanë mbetur edhe 11 ditë nga përfundimi i mandatit të tij, demokratët po kërkojnë largimin e menjëhershëm të zotit Trump. Nga ana tjetër presidenti ka pak mbështetje nga vetë partia e tij.

“Ne duhet të veprojmë”, deklaroi Kryetarja e Dhomës Nancy Pelosi të premten gjatë një telekonferencë private me ligjvënësit demokratë. Një nga republikanet kryesore, senatorja Lisa Murkowski, i tha gazetës Anchorage Daily News se zoti Trump thjesht “duhet të largohet”.

Ditët e fundit të presidencës së zotit Trump po shkojnë drejt një fundi kaotik ndërsa shumë nga ndihmësit e tij, republikanë të lartë dhe anëtarët e kabinetit e kanë braktisur. Ndërsa refuzon të pranojë humbjen në zgjedhjet e nëntorit, zoti Trump ka premtuar tashmë një transferim të qetë të pushtetit më 20 janar kur pritet të betohet Presidenti i zgjedhur demokrat Joe Biden. Por zoti Trump ka thënë se ai nuk do të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit, çka do të shënonte herën e parë të mospjesëmarrjes së një presidenti në largim që pas Luftës Civile.

Ndërkohë presidenti i zgjedhur Joe Biden ka thënë se ai është përqendruar tashmë në punën e tij ndërsa përgatitet të marrë detyrën. I pyetur rreth nisjes së procedurave për shkarkimin e zotit Trump ai tha, se “ky vendim i takon Kongresit”. Demokratët po shqyrtojnë veprime të shpejta në këtë drejtim. Sipas një personi që ka informacion mbi këtë çështje, në një version paraprak të dokumentit mbi të cilin do të bazohet kërkesa për shkarkimin e zotit Trump, ai akuzohet për abuzim me pushtetit, duke thënë se ai “bëri me vetëdije deklarata që inkurajuan e për pasojë çuan në veprime të paligjshme e të pashmangshme në Kapitol”.

Kërkesa për shkarkim pritet të paraqitet të hënën dhe të mërkurën pritet një votim nga ana e Dhomës së Përfaqësuesve. Nëse Dhoma e Përfaqësuesve do të zyrtarizonte akuzat për shkarkimin e presidentit e nëse Senati do të merrte vendim për shkarkimin e tij, zotit Trump gjithashtu mund t’i ndalohej të kandidonte sërish për postin e presidentit në vitin 2024 ose për çdo post tjetër publik. Një nga personat që mori pjesë gjatë telekonferencës me zonjën Pelosi tha se kjo e fundit diskutoi gjithashtu dhe mbi mënyra të tjera që mund ta detyronin zotin Trump të japë dorëheqjen.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA